Veseli me platformë konkrete për unitet politik për temat madhore të vendit (Dokument)

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 08:09 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka propozuar një platformë politike për bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth pesë temave me interes nacional.

Këtë platformë, Veseli ua ka dërguar gjithë liderëve të partive politike, nëpërmjet së cilës u bënë thirrje për  krijimin e një ekipi të përbashkët të liderëve politik me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile për këto pesë tema: 1. Dialogu me Serbinë, 2.Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, 3.      Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, 4.Agjenda e Integrimeve Evropiane, 5.Reforma Zgjedhore.

“Në funksion të këtij qëllimi është i domosdoshëm krijimi i një ekipi të përbashkët, i udhëhequr nga Presidenti i Kosovës, e në të cilin do të përfshihej roli i të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë  të vendit, si dhe personalitetet e shoqërisë civile, një praktikë kjo shumë rezultative gjatë proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë”, shkruan ndër të tjera Veseli në platformën e tij, të cilën mund ta lexoni të plotë si në vijim.

Kadri Veseli-Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe udhëheqës i koalicionit parazgjedhor PAN

Platforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse e agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës 

Të nderuar:

  1. Z. Isa Mustafa-Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës-LDK
  2. Z. Albin Kurti-Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje-VV
  3. Z. Ramush Haradinaj-Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës-AAK
  4. Z. Fatimr Limaj-Kryetar i Nismës Social-Demokrate
  5. Z. Behgjet Pacolli-Kryetar i Aleanca Kosova e Re-AKR
  6. Grupi i Deputetëve të Pavarur në Kuvendin e Kosovës
  1. Duke marrë për bazë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, me qëllim të avancimit në agjendën e shtet ndërtimit;
  2. Duke synuar arritjen sa më të shpejtë të qëllimeve për integrime euroatlantike të Kosovës;
  3. Me qëllim që të përmbyllet dialogu me Serbinë, për t’u ndërtuar një partneritet i fqinjësisë së mirë;
  4. Duke vlerësuar situatën e tanishme politike në Republikën e Kosovës;
  5. Me vullnetin dhe përkushtimin për të përmirësuar të tashmen dhe garantuar të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Propozoj

Platformën konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës

  1. Qëllimi

Kjo platformë ka për qëllim, arritjen e konsensusit politik, për disa prej çështjeve më të rëndësishme, me të cilat Republika e Kosovës është përballur më herët dhe është duke u përballur aktualisht. Çështjet të cilat do të përfshijë kjo platformë, janë ndër më të rëndësishmet për perspektiven e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Këto çështje, që një kohë të gjatë janë duke e penguar ecjen përpara të Republikës së Kosovës dhe si të tilla është në interesin nacional të shtetit që sëbashku t’i kapërcejmë ato. Me qëllim që të kemi një zgjidhje efikase, në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, është i nevojshëm ndërtimi i konsensusit politik në mes nesh. Ky konsensus parasegjithash duhet të reflektojë interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  1. Çështjet 

Ndër çështjet e rëndësishme, të cilat i konsideroj si parësore në këtë plaformë dhe për të cilat nevojitet ndërtimi i konsensusit dhe përpilimi i një agjende shtetërore të përbashkët janë:

  1. Dialogu me Serbinë
  2. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
  3. Themelimi i Ushtrisë së Kosovës
  4. Agjenda e Integrimeve Evropiane
  5. Reforma Zgjedhore

1. Dialogu me Serbinë

Dialogu me Serbinë, dhe faza në të cilën gjendet ai, është njëra ndër shtyllat e para për të cilën nevojitet një platformë shtetërore, si dhe një qëndrim i përbashkët. Unifikimi i qëndrimeve, në këtë fazë të dialogut me Serbinë është shumë i rëndësishëm, sidomos kur kemi parasysh fazën përmbyllëse të tij. Unifikimi i qëndrimeve dhe ndërtimi i një platforme shtetërore të përbashkët për këtë çështje, do të ishte garancion i përfundimit më të mirë të procesit të dialogut me Serbinë.

Në funksion të këtij qëllimi është i domosdoshëm krijimi i një ekipi të përbashkët, i udhëhequr nga Presidenti i Kosovës, e në të cilin do të përfshihej roli i të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë  të vendit, si dhe personalitetet e shoqërisë civile, një praktikë kjo shumë rezultative gjatë proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë.

Ky ekip i përbashkët, përmes unifikimit të qëndrimit të Republikës së Kosovës, në raport me çështjet, përkitazi me dialogun, do të lehtësonte në masë të madhe edhe qasjen e bashkësisë ndërkombëtare në këtë aspekt. Krijimi i një grupi strategjik shtetëror, që do të koordinonte procesin e dialogut me Serbinë, do të lehtësonte në masë të madhe edhe vendimmarrjen e brendshme dhe kjo pashmangshëm do të ishte një refleksion pozitiv dhe në proceset e tjera ndërkombëtare, duke fuqizuar pozicionin e Republikës së Kosovës.

Një konsensus politik kombëtar, do të ishte i mirëseardhur, në mënyrë që procesi i dialogut të përmbyllet me obligimin e Serbisë që të lidhë marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën, për të hapur rrugën e Integrimit Euro-Atlantik të shtetit tonë.

  1. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, dhe themelimi i tij nga Republika e Kosovës, është një obligim ndërkombëtar i marrë përmes marrëveshjes të ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vitin 2013. Rrethanat e krijuara politike, lidhur me këtë temë, po ashtu shtrojnë nevojën që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të shndërrohet në agjendë shtetërore. Kjo shtron si domosdoshmëri  krijimin e një konsensusi politik në mes nesh. Ky konsensus duhet të ndërtohet mbi bazën që krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të krijohet dhe funksionalizohet duke pasur parasysh Marrëveshjen Ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës KO130/15. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duhet të dizajnohet në atë mënyrë që të ruhet karakteri unitar i Republikës së Kosovës si dhe funksionaliteti i shtetit. Kjo mund të arrihet me një koordinim të përbashkët politik dhe profesional, duke përfillur standardet  theksuara më sipër.

  1. Themelimi i Ushtrisë së Kosovës

Përpjekjet e vazhdueshme për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, deri më tani kanë qenë të pasuksesshme. Në këtë ka ndikuar roli aktualisht refuzues i Listës Serbe, përkitazi me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të nevojshëm për të realizuar këtë qëllim.

Duke pasur parasysh situatën, në të cilën jemi gjendur që më shumë se 4 (katër) vite, përkitazi me këtë çështje, shihet qartë domosdoshmëria për unitet dhe përkushtim të përbashkët, për ta çuar përpara këtë prioritet shtetëror të përbashkët. Një platformë e përbashkët, e koordinuar lidhur me themelimin e Ushtrisë së Kosovës, do të lehtësonte edhe qasjen e partnerëve ndërkombëtare, lidhur me formën dhe mënyrën e arritjes së këtij prioriteti.

Ne bashkërisht, duhet ta gjejmë formën më të mirë, për të adresuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, në një afat sa më të shpejtë, duke ndërtuar një platformë konsensuale për  të krijuar qasjen e duhur dhe të pranueshme për partnerët tanë strategjik.

Jam plotësisht i vetëdijshëm që krijimi i Ushtrisë së Kosovës, nuk  është vetëm një   ëndërr e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por, parasegjithash, proces themelor i kompletimit të shtetndërtimit, prandaj ndërtimi i një qëndrimi unik për këtë çështje është domosdoshmëri.

  1. Agjenda e Integrimeve Evropiane

Integrimi Evropian ka qenë dhe mbetet njëri ndër prioritetet kryesore, jo vetëm të Republikës së Kosovës, por i të gjithë Ballkanit Perëndimor. Rekomandimet e BE-së, si në raportin e progresit, por edhe ato që derivojnë nga dokumentet e tjera që dalin nga procesi i integrimit, duhet të shndërrohen në politikë të përbashkët shtetërore, e cila rezulton edhe me konsensus të përbashkët.

Agjenda Evropiane e Reformave, përpos që duhet të përmbushet nga të gjithë ne, si bartës të institucioneve, ajo duhet të trajtohet nga të gjithë ne, si një çështje për të cilën duhet të marrim përgjegjësi të gjithë. Në veçanti, ne duhet të ndërmarrim veprime të përbashkëta dhe të koordinuara në fushën e sundimit të ligjit, e veçanërisht në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pa sundim të ligjit agjenda evropiane e integrimit është e destinuar të vendnumëroj, prandaj shndërrimi i saj në agjendë të përbashkët shtetërore, do të na bënte më efikas në përmbushjen e obligimeve konkrete që dalin nga procesi i përafrimit me Bashkimin Evropian.

  1. Reforma Zgjedhore

Reforma zgjedhore, është një ndër segmentet e rëndësishme, që do të shënonte një hap përpara drejt reformimit të Sistemit Kushtetues  të Republikës së Kosovës, dhjetë vite pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në vitin 2012, të gjithë kemi qenë dëshmitar të një reforme zgjedhore të nisur, por e cila nuk ka përfunduar asnjëherë. Me qëllim të bërjes një hap përpara në këtë drejtim, është e udhës që të koordinohemi dhe të kemi një pajtim, për një sistem të ri zgjedhor, i cili do ta bënte më funksional sistemin kushtetues si dhe do të rriste përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

Një reformë e tillë, që nënkupton ndryshimin e sistemit zgjedhor të Kosovës, do të mund të arrihet vetëm me një pajtim paraprak dhe unitet në mes nesh. Jam i bindur që ndërtimi i konsensusit për këtë çështje, do t’i shërbente përfaqësimit të interesit qytetar si dhe funksionalitetit të shtetit. Konsideroj se pjesë e domosdoshme e këtij konsensusi duhet të jetë edhe shoqëria civile, e cila na vazhdimësi ka kontribuar në forcimin e demokracisë në vendin tonë.

Koordinimi dhe politikat e përbashkëta për çështjet e mësipërme, janë rruga më e sigurtë për të ecur më shpejt në përmbylljen e proceseve të shtetndërtimit dhe në avancimin e agjendës strategjike të integrimit euro-atlantik të vendit tonë.

Përmes konsensusit dhe agjendës së përbashkët shtetërore ne, përfundimisht, e kthejmë politikën tonë në funksionin e saj themelor, i cili është shërbimi ndaj interesave të qytetarëve dhe shtetit tonë të pavarur dhe sovran.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme