Veseli: Demarkacioni nuk ka ndikuar në fqinjësinë me Malin e Zi

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 14:58 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim ambasadorin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha, me të cilin diskutoi për raportet që Prishtina dhe Podgorica , si dhe për sfera të ndryshme bashkëpunimi midis dy vendeve.

Kryeparlamentari Veseli tha se çështja e demarkacionit, i cili nuk ka përfunduar ende si proces, nuk ka ndikuar në marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, në të cilën Mali i Zi ka treguar konstruktivitet.

Veseli dhe Dinosha vlerësuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa shprehën përkushtimin që bashkëpunimi ndërshtetëror të thellohet edhe më tej në të ardhmen, në frymën e orientimit të përbashkët euro-atlantik.

Në këtë funksion, kryetari i Kuvendit të Kosovës shtroi nevojën e forcimit të bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të rritjes së shkëmbimeve tregtare, në interes të të dyjave vendeve. Po ashtu, kryetari Veseli theksoi rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të rrugës Deçan-Plavë, si një arterie shumë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe e qarkullimit të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Veseli dhe ambasadori Dinosha diskutuan edhe për pozitën e komunitetit malazez në Kosovë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit malazez në vendin tonë.
“Malazezët e Kosovës do ta kenë vendin e merituar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, si qytetarë te respektuar të Republikës se Kosovës”, theksoi kryetari Veseli.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme