Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, se me urdhër dhe dijen e tyre është vrarë komandanti i UÇK-së Ekrem Rexha, me pseudonimin Drini.
Millaku tha se në vrasjen e tij ka gisht dikush pasi që sipas saj deri më tani edhe nuk po dekorohet nga presidenti.
“Kërkesa për dekorimin e Drinit është në sirtar qe katër vjet dhe asnjëherë nuk u mor parasysh”, tha Millaku.
Ndaj kësaj fjale ka reaguar deputeti që vjen nga kjo zonë, Nezir Çoçaj, i cili deputetes Millaku ia përmendi se është reja e njeriut që ka punuar në UDB.
Ndërkaq më pas, vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i është përgjigjur deputetes së VV-së.
“Mos e keqpërdorni për këso gjërash parlamentin, por për gjëra që janë të mirëqena për qytetarët. Kush ka për të thënë diçka le të shkojë atje ku duhet, e jo këtu”, ka thënë Veseli.
“Mos e lsho fjalën… po e din t’i si kush”, i ka thënë Veseli deputetes Millaku.
Aktualisht deputetët janë në pauzë deri në orën 14:00. Seanca e sotme është vazhdimësi e asaj të djeshmes ku po debatohet për buxhetin e vitit 2018.