Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ministri i Financave, Bedri Hamza, kanë vizituar kompaninë prodhuese të mobileve “Palma” në Gjilan, raporton Ekonomia Online.
Veseli gjatë kësaj vizite tha se Kosovës i mungon ndërmarrësia dhe institucionet e Republikës së Kosovës do ta përkrahin këtë kompani prodhuese e cili eksporton rreth 1 milion e 400 mijë euro.
Ai tha se kjo kompani është shembull i suksesit.
“Duam ta falënderojmë pronarin e kompanisë “Palma”, është shembull i suksesit. Kosovës i mungon ndërmarrësia e fuqishme. Ky është patriotizmi jonë, investimet dhe mundësitë e fuqizimit të kompanive prodhuese të vendit me njerëz si “Palma”, “ Ciao Berto”, “Bini”. Kjo kompani eksporton rreth 1 milion e 400 mijë euro, ka nevojë për përkrahje dhe ne do ta përkrahim. Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, faleminderit shumë, ju jeni patriotët e vërtetë të Kosovës”, ka thënë Veseli, raporton EO.
“…Kosova ka mundësi dhe potenciale të jashtëzakonshme të zhvillimit dhe ky do të jetë orientimi ynë, ky është patriotizmi jonë, kjo është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Këtu është fuqizimi i ushtrisë së Kosovës”, tha ai.
Pronari i kompanisë “Palma”, Ekrem Shahini, tha se Pakoja Fiskale ka ndikuar në prodhim dhe ka krijuar lehtësira për investime.
“Vlen të theksohet se Pako Fiskale 1 dhe 2 ka pasë ndikim në prodhim gjë që e falënderova ministrin Hamza për punën që ka bë që neve të na e lehtësoj që të kemi lehtësi financiare për investime”, ka thënë Shahini.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ndihet mirë kur kompani si “Palma” eksportojnë jashtë vendit.
“Ndihem tepër i nderuar që jam në një ndërmarrje prodhuese që produktet e veta i eksporton jashtë vendit. Ky është edhe qëllimi jonë. Ky është biznes prodhues që ka depërtuar në tregun e jashtëm. Ka një numër të madh të të punësuarve. Ne jemi në procedurë të miratimit të ligjeve tjera”, tha Hamza.