Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Kosova ndonëse shtet i ri ka arritur që të konsolidohet si shtet që ka stabilitet e demokraci.
Por sipas tij, vendi më i ri në Evropë ende nuk i ka të caktuar kufijtë, ka problem me trashëgiminë dhe sfidë mbetet edhe funksionimi i shtetit ligjor e papunësia, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse e penguar nga shteti fqinjë Serbia, Kosova ka vlerësuar Veseli ka arritur që të ruajë qetësinë dhe të ecë e sigurt drejt rrugës së integrimit evropian.
“Oavarësisht sfidave të brendshme Kosova ka stabilitet dhe është demokraci. Sfidat më të mëdha janë shteti ligjor, dhe punësimi. Kemi një ambient normal ku investimet e huaja nuk janë shumë të mëdha dhe kjo është në kuadër të normalizimit në rajon. Ne nuk i dimë kufijtë tanë, kemi probleme me trashëgimin, Kosova jonë nuk e ka luksin për me tregu që ky është shtet. Serbia teksa ec në rrugën e integrimit evropianë ata harxhojnë pare për Kosovën. Ne duke u munduar që të ecim drejt integrimeve euroatlantike jemi duke u munduar me ruajt qetësin tonë”, tha Veseli.
Këto komente ai i bëri në debatin e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temën “Çfarë roli duhet të ketë Kuvendi në dialogun Kosovë-Serbi”.
Veseli tha se dialogu Kosovë- Serbinë ishte jo transparent, prandaj edhe tash e tutje duhet që të jetë më intensiv.
Ai tha se duhet të intensifikohet edhe dialogu i brendshëm që të marrin përgjegjësi të gjithë, pozitë e opozitë, e të përfshihen edhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Aty është manipulua si kanë dash, kanë dal në media e krejt në fund iu ka ardhur deputetëve. Kjo është mungesë e transparencës. Dialogu për mua duhet të jetë me intensiv jo vetëm ai me Serbinë, por edhe dialogu i brendshëm sepse ne kemi edhe shumë papëlqyeshmëri ndaj njëri-tjetri. Duhet të kemi të qartë edhe për kufijtë e që t’i përcakton vetë dhe të mos na caktojnë tjetër”, tha ai.
“Janë dy rrugë ose dialogu ose konflikti. Unë kurrë s’ja kisha dëshirua fëmijëve të mijë me jetuar në atë pjesë në të cilën kemi jetuar. Atë kohë s’ka pasur dialog kemi shkuar përmes luftës dhe Serbinë e kemi largu përfundimisht prej Kosovës. Ne jemi të përkushtuar që strukturat paralele të ndalen, të mos manipulohet me serbët në Kosovë. Ne do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv por që përmes dialogut do të vazhdojmë për heqjen e influencat negative. Strukturat paralele largohen vetëm me dialog, dhe unë besoj re dialogu si një formë e vazhdimësisë”, tha Veseli.