Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Frederik Veseli, pritet që karrierën ta vazhdojë në Superligën e Turqisë, te Trabzonspori.
Mediumet turke kanë raportuar të martën se marrëveshja mes palëve është afër finalizimit dhe Veseli do t’i bashkohet Trabzonsporit nga Empoli para mbylljes së afatit kalimtar të dimrit. Ekipi turk, për kartonin e Veselit pritet të paguajë dëmshpërblim 1.5 milionë euro.
Veseli këtë edicion ka 21 ndeshje me Empolin dhe me ekipin që bën gara në Serie B ka kontratë deri në vitin 2021. Ai ka edhe 22 ndeshje me Shqipërinë.
Karrierë ka bërë te Lugano, Port Vale, Ipswichi, Bury e Manchester Unitedi.