Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes që të votohet demarkacioni në seancën e radhës të Kuvendit.
AAK-ja ka hequr dorë që në Ligjin për Demarkacionin të përfshihet dhe raporti i komisionit të ri shtetëror, i njohur si “komisioni Bulliqi”, për çka insistonte LDK-ja.
“Të nderuar qytetarë, sapo kemi arritur konsensusin për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar kryeparlamentari Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, në një postim në Facebook.
“Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv”.
“Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, ka theksuar Veseli.
Edhe kryeministri Haradinaj, njëherësh lider i AAK-së, konfirmoi arritjen e marrëveshjes, që i hap rrugë votimit të demarkacionit në seancën e caktuar për të mërkurën.
“Qytetarëve të Republikës së Kosovës ua konfirmoj se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, që siguron unitet politik në parlament”, ka shkruar Haradinaj, po në Facebook.
“Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç, si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, ka saktësuar kreu i Qeverisë.