Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka falënderuar institucionet e Bashkimit Europian, dhe deputetët evropianë për përkrahjen e madhe që i kanë dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Veseli ka shkruar se ”institucionet e Kosovës nuk duhet ndalur punën deri në përmbushjen e së drejtës themelore dhe meritore për të lëvizur lirshëm në Europë. Si Kuvend, kemi filluar një iniciativë që ka gjetur mbështetje nga institucionet e vendit dhe nga shtetet anëtare të BE-së”, është shprehur Veseli.
Këtu është postimi i plotë i Kryetarit Veseli:
“Falënderoj institucionet e Bashkimit Europian, eurodeputetët, për përkrahjen e madhe që i kanë dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Institucionet e Kosovës nuk duhet ndalur punën deri në përmbushjen e së drejtës themelore dhe meritore për të lëvizur lirshëm në Europë.
Si Kuvend, kemi filluar një iniciativë që ka gjetur mbështetje nga institucionet e vendit dhe nga shtetet anëtare të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, por këtu nuk përfundon i gjithë obligimi ynë.
Në këta muaj vendimtarë, ne duhet të vazhdojmë përmbushjen e agjendës sonë europiane, ndërsa komunikimi me të gjitha institucionet e BE-së dhe çdo mekanizëm tjetër ndikues në këtë proces duhet të intensifikohet”.