Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në prezantimin e tij të radhës para qytetarëve të Skënderajt, ka thënë se programi i subjektit të tij partiak ”Fillimi i Ri” do të jetë tërësisht përkrahës i bizneseve.
Ai tha se suksesi i Kosovës që gëzon sot, është duke iu falënderuar PDK-së pasi gjithmonë pati udhëheqje vizionare për vendin.
Në këtë tubim Veseli përsëri premtoi rritje të pensioneve e po ashtu edhe vende të reja të punës.
”Duke qenë partia më e madhe në vend, kemi dëshmuar se jemi të gatshëm. Ky është suksesi i republikës sonë duke iu falënderuar PDK-së që me udhëheqje vizionare e ka ndërruar Kosovën pozitivisht. Do vazhdojmë me ‘’Fillimin e Ri’’ për të mirën e vendit”.
”Për të pasur kuptimësi kjo liri duhet të kemi edhe zhvillim ekonomik. ‘Fillimi i Ri’ do të jetë tërësisht përkrah bizneseve. Imagjinoni një përkrahje e cila është adekuate. Vetëm një vend pune nëse e krijojmë, krijojmë dhe 60 mijë vende pune”, tha ai.
”Toka e Kosovës, është shumë organike. Në sektorin e bujqësisë do të dyfishohet buxheti me investime. Brenda katër vitesh duam të pesëfishohen eksportet”.
Ai ka theksuar se nuk mund të ecë përpara Kosova pa përfaqësimin e gruas.
“Azem Bejta u ka dhënë përparësi grave, e pse ne të mos u japim grave përparësi. Pas 11 qershorit nuk do të ketë doktor që do të mbesin të papunë, ju premtoj. Në vend që të japim 100 milionë euro vetëm në Maqedoni, pse mos tua japim mjekëve tanë”.
”25 % do të ju rriten pagat e pensionistëve kontributdhënës e atyre që s’janë kontributdhënës. Jemi bërë bashkë me Ramush Haradinajn, për një Kosovë perëndimore, Kosovë të denjë për qytetarin e Kosovës. Nuk jemi bërë bashkë kundër askujt”.