Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka komentuar publikimin e fotografisë që bëri deputetja e PDK-së, Flora Brovina ku shihej një grua duke u dhunuar gjatë luftës, e që Brovina pretendonte që ajo fotografi ishte realizuar gjatë luftës në Kosovë, por që e njëjta nuk doli të jetë e vërtetë, raporton Ekonomia Online.
“Flora Brovina bëri gabim të rëndë, ajo është viktimë e gjenocidit serb. Sado që është gabim i madh është edhe pasojë e gjenocidit serb. Si individë duhet marrë parasysh rrethanat e saj jetësore dhe kontributet e saj dhe jo për të tentuar për të linçuar apo për të nxitur komplot politik. Nuk na duhej një foto as qindra për ta dëshmuar këtë sepse qindra gra të dhunuara ende presin drejtësi për të dëshmuar. Të nderuar deputetë realiteti i tragjedisë kombëtare gjatë viteve ‘ 98-99 ishte përjetim nacional që u krye me një platformë e ekzekutim nga shteti serb në fshatrat dhe qytete e Kosovës. Gjenocidi serb ka ardhur në të njëjtë kohë dhe skenar kudo në Kosovë”, tha Veseli.