Veseli, kandidati i vetëm për kreun e Kuvendit

Prishtinë | 31 Kor 2017 | 08:02 | Nga

Për koalicionin PAN, kandidat i vetëm për kryetar Kuvendi është lideri i PDK-së, Kadri Veseli.
Zyrtarët e kësaj partie thonë se Veseli do të zgjidhjet kryetar dhe koalicioni i tyre do t`i formojë institucionet e reja. Mos votmin e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit e kanë deklaruar Vetëvendosje dhe LDK me partnerët e saj.

Kadri Veseli është kandidati i vetëm i koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit. Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, shprehet e bindur që Veseli do të votohet për kryeparlamentar në seancën e 3 gushtit.Ajo thotë se kreu i Partisë Demokratike e ka mbështetjen e plotë të partisë, por edhe të partnerëve të tjerë të koalicionit.

Deliu Kodra nuk foli për numrat, por u shpreh e bindur se nuk do të ketë bllokadë politike dhe se koalicioni PAN do t’i formojë institucionet.
Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm për kryeparlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja.

Nënkryetar i LDK-së, Agim Veliu ka thënë nëpërmjet telefonit se qëndrimi i partisë së tij dhe partnerëve të koalicionit është i njëjti dhe se deputetët e këtij koalicioni nuk do t`ia japin votën Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.

Edhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur këmbëngulës në mos votimin e Veselit për kryetar të Kuvendit.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.
Në seancën e 3 gushtit pritet që deputetët të betohen dhe ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni, ndërsa nga momenti i konstituimit të Kuvendit, pason periudha prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme