Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, gjatë një vizite në komunën e Kamenicës, ka thënë se pakoja emergjente është e domosdoshme për rimëkëmbjen e ekonomisë. Sipas tij, pakoja e prezantuar nga PDK-ja do t’i ndihmojë familjet e komunat e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ish-kreu i Kuvendit ka porositur se vendi nuk guxon të dështojë e as të shkojë drejt kolapsit pas pandemisë, por duhet që të merren masa urgjente nga institucionet.
“Ne biseduam me kryetarin se po shtohet lista në Kosovë e familjeve që kanë nevojë për ndihma sociale të cilat kanë nevojë për fakti e ballafaqimit me pasojat e pandemisë dhe duhet sa më shpejt të intervenojnë institucionet e Kosovës”.
“Pakoja e rimëkëmbjes është e domosdoshme dhe iu ndihmon drejtpërdrejt familjeve që kanë vështirësi sociale, iu ndihmon drejtpërdrejt komunave dhe kryetarëve të komunave”.
“Pakoja u ndihmon bizneseve që të rifillojnë aktivitetet e tyre të ndërmarrësisë, iu ndihmon 280 mijë familjeve të sektorit privat, por edhe fermerëve dhe gjithë komunave. Ne nuk guxojmë të dështojmë nga pandemia dhe duhet të marrim masa që ta tejkalojmë këtë dhe asnjëherë të mos shkojmë në kolaps”, tha Veseli.
Veseli është pritur nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Kryetari Kastrati i ftoi institucionet dhe qytetarët që t’i respektojnë masat e marra nga Qeveria. Kastrati tha se është nevoja të lirohet ekonomia, raporton EO.
“Ne sot patëm kënaqësi ta presim deputetin Veseli i cili ishte i interesuar me dëgjuar prej meje dhe për komunat në përgjithësi për nevojat dhe për përballimin e pandemisë dhe gjithashtu diskutuam edhe për pakon emergjente që e kanë propozuar këta”.
“Unë uroj e shpresoj duke i ftuar institucionet dhe qytetarët po ashtu që t’i respektojmë masat e duhura dhe kemi nevojë shumë që të lirohet ekonomia dhe në veçanti komunat si Kamenica ku ekziston vetëm prej remitencave dhe është një prej sfidave dhe prej halleve në vazhdim”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli se bashku me kryetarin e komunës së Kamenicës kanë vizituar edhe Qendrën e Zjarrfikësve të Komunës së Kamenicës. Veseli dhe Kastrati u njoftuan për sfidat dhe punën e zjarrfikësve.
Gjatë vizitës në Kamenicë, kreu i PDK-së ka vizituar edhe njësitin e zjarrfikësve dhe fermerin Granit Berisha në fshatin Koretin të kësaj komune.