Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryesuesin e Asociacionit Parlamentar të NATO-s në Kanada, deputet federal, njëherësh zv/kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë në parlamentin kanadez, Borys Wrzesnewskyj.
Kryeparlamentari Veseli dhe deputeti Wrzesnewskyj biseduan për raportet shumë të mira që Kosova dhe Kanadaja kultivojnë ndërmjet tyre në shumë nivele të bashkëpunimit institucional dhe njëherësh vlerësuan se kjo traditë e bashkëpunimit duhet vazhduar dhe thelluar më tej në të ardhmen.
Kryetari i Kuvendit tha se me shtete mike në krah, si Kanadaja, Kosova ndihet e sigurt në arritjen e aspiratave të saj për avancim të mëtejmë të demokracisë, zhvillim ekonomik dhe ecje më të shpejtë në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Ai falënderoi ligjvënësin kanadez për ndihmën dhe mbështetjen që Kanadaja ka dhënë për Kosovën në të gjitha etapat.
Veseli e njohu z. Wrzesnewskyj edhe për vendimet e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Ushtrisë dhe potencoi përkushtimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejtë anëtare e NATO-s.
Deputeti Wrzesnewskyj nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli dhe institucionet e Kosovës për pritjen e ngrohtë që iu bë gjatë vizitës dhe njëherësh garantoi mbështetjen e shtetit të tij për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.