Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar letër Parlamentit Evropian dhe vendeve të QUINT-it për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit 1998-1999.
Veseli ka përmendur masakrat dhe krimet e shumta që Serbia ka kryer në Kosovë, duke thënë se është e njohur ndërkombëtarisht se nën regjimin brutal të Sllobodan Millosheviçit, shqiptarët në Kosovë ishin viktima dhe objektiv i një dhune sistematike.
Si pasojë, ka shkruar Veseli, rreth një milion kosovarë, më shumë se gjysma e popullsisë, janë detyruar të largohen nga Kosova, me një gjysmë milioni të tjerë të zhvendosur brenda vendit.
“Në total, rreth 90 për qind e popullsisë etnike shqiptare u bënë refugjatë ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre ishin 1230 fëmijë, duke përfshirë bebet dhe fëmijë tjerë të vegjël”, thuhet mes tjerash në letrën e Kryeparlamentarit Veseli.
Ai ka përmendur edhe fatin ende të pazgjidhur për mijëra persona të zhdukur.
“Gjatë dhjetë vjetëve të ekzistencës së saj, Kosova ka treguar se është një vend paqedashës dhe që në mënyrë aktive kërkon marrëdhënie pozitive me të gjithë fqinjët e saj, duke përfshirë këtu Serbinë. Megjithatë, duhet të them se ende duhet bërë shumë për të mundësuar shërimin, dhe një pjesë e këtij shërimi është pranimi i së vërtetës”, thuhet tutje në letrën e Kryeparlamentarit Veseli.
Veseli u ka kërkuar të gjitha vendeve mike që të nxjerrin nga një rezolutë përmes së cilës konfirmohet e vërteta e krimeve serbe në Kosovë.
“Në emër të Kuvendit të Kosovës, dëshiroj t’ju ftoj ju dhe kolegët tuaj për të bërë të mundur njohjen formale e padrejtësisë historike që është bërë kundër popullit tim. Kjo mund të bëhet përmes një rezolute që vë në dukje dhe dënon krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë”, thuhet në letrën e Veselit.
Një letër e tillë, ditë më parë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës i është dërguar edhe Kongresit Amerikan.