Për nder të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kongresi Amerikan ka organizuar një aktivitet përmes Komisionit për Demokraci dhe Partneritet (House Democracy Partnership) në Washington, ku të pranishëm ishin zyrtarë të lartë amerikanë dhe personalitete tjera të cilët kanë vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.
Në këtë aktivitet, Kongresi Amerikan ka transmetuar dy video mesazhe të posaçme para zyrtarëve të lartë amerikanë. Njëri video mesazh nga Kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli dhe një tjetër nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright.
Nëpërmjet video mesazhit të tij për zyrtarët e lartë amerikanë, Kryeparlamentari Veseli ka rrëfyer rrugëtimin e përbashkët të SHBA-së dhe Kosovës në 10 vitet e shtetësisë.
Veseli ka falënderuar popullin amerikan dhe të gjitha autoritetet e SHBA-së që kanë ndihmuar popullin e Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, por po ashtu edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në forcimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro atlantike.
“Dua t’ju them se ju duhet të jeni të sigurt se investimi juaj në Kosovë nuk ka shkuar kot. Kosova sot është e lirë, me institucione të pavarura, me një Parlament të zgjedhur me zgjedhje të drejta dhe demokratike. Kemi pasur rritjen mesatare më të lartë ekonomike në Evropën Lindore në 10 vitet e fundit. Me ndihmën e kompanive amerikane ne kemi ndërtuar mbi 1000 km autostrada dhe rrugë”, ka thënë ndër të tjera Veseli në video mesazh.
Dy udhëheqësit e Komisionit për Demokraci dhe Partneritet, të cilët janë edhe miq të Kosovës, kongresmenët, Peter Roskam dhe David Price, gjatë adresimit në këtë aktivitet, kanë uruar qytetarët e Kosovës në 10 vjetorin e pavarësisë duke rikonfirmuar miqësinë e përhershme të SHBA-së me Kosovën dhe ndihmën e vazhdueshme që Kongresi Amerikan do ti jap Kosovës.
Kongresi Amerikan, nëpërmjet organizatës së tyre që vepron në Kosovë, NDI, kanë mbështetur në vazhdimësi Kuvendin e Republikës së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimeve të ndryshme për deputetët dhe stafin e Kuvendit.