Ish-komandanti i UÇK-së, Kadri Veseli, tha se beson se lufta e tyre është e pastër si diamanti pas një interviste triorëshe që e dha sot në Hagë.
Duke thënë se nuk e ka shqetësim pastërtinë e UÇK-së tha se tash po e mundojnë raportet jo fort të mira në mes të zyrtarëve të Kosovës që nuk po arrijnë të jenë të bashkuar për t’i treguar Serbisë krimet që ka kryer në Kosovë, njofton Klan Kosova.
“Nuk e kam fare shqetësim, por mund të dëmtohen proceset dhe të vonohen në vend se të ecim përpara ne merremi më shumë me njëri-tjetrin. Energjinë më shumë e harxhojmë në urrejtje, të cilën nuk e dimë se ku gjendet aq shumë ndaj njëri-tjetrit në faktin kur kemi me qindra masakra kur krejt toka e Kosovës është e mbushur me masakra dhe ne jemi aq të heshtur”.
“Në Kuvend përderisa kam qenë në krye më shumë është folur kundër njëri-tjetrit. Një inciativë që e kam ndërmarr para shtatë muajve është venitur nga këto inate. Edhe pse unë s’e kam ndërmend me u ndal. Ne shumicën e masakrave i kemi të dokumentuara që janë bërë nga njësitë ushtarake dhe policore serbe dhe ka dokumente serbe për këtë”.
Veseli në një intervistë ekskluzive në Info Magazine tha se më problem i sheh veprimet e zyrtarëve kosovarë sesa mohimet e Serbisë për masakrat në Kosovë.
“Nuk është çështja te ajo se çfarë bën Vuçiqi apo Gjuriqi, por çfarë bëjmë ne?. Në momentin kur ai e mohon Masakrën e Reçakut zyrtarët tonë takohen me Gjuriqin në Tiranë. Ironia e parë: Gjuriqi e mohon masakrën, zyrtarët tonë takohen me të si pa të keq e me njëri-tjetrin nuk takohen as në Tiranë as në Beograd”.
“Ajo çfarë dua të them është se nuk është problemi çka bën Gjuriq dhe Vuçiq, ata në momentin kur jemi të pjekur dhe seriozë dhe i vëmë para përgjegjësisë ata do ta ndjenë peshën e vet si shtet. Për faktin që krimet janë kryer në Kosovë nuk janë spontane dhe nuk janë kryer pa organizim dhe paramendim”.