Veseli në Romë: Italia mbështet liberalizimin e vizave

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 18:04 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, është pritur sot në takim të veçantë nga Presidentja e Senatit italian, Maria Elisabetta Alberti Casellati, për të diskutuar për mbështetjen politike të shtetit italian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.

Gjatë këtij takimi, të dy homologët diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që Roma dhe Prishtina zyrtare kanë ndërtuar midis tyre.

Kryetari i Kuvendit, Veseli, e njohu kryeparlamentaren italiane për zhvillimet në Kosovë, me fokus në agjendën evropiane si prioritet nacional.

Veseli e falënderoi znj. Casellati për përkrahjen e vazhdueshme që shteti italian i ka dhënë dhe është duke i dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha drejtimet, ndërsa kërkoi mbështetjen e Senatit dhe shtetit italian në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Veseli tha se institucionet e vendit kanë përmbushur të gjitha kriteret që atyre u janë vendosur në këtë proces, ndërsa përmbushja e gjitha kritereve është vlerësuar ditë më parë edhe nga Komisioni Evropian i cili rekomandon heqjen e shpejt të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, theksoi se shteti i saj do të vazhdojë të përkrah Kosovën si në rrafshin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian, sidomos në proceset aktuale që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe proceset tjera integruese.

“Ne në Itali jemi në anën tuaj. Jemi të gëzuar se ka pasur hapa pozitiv në këtë drejtim. Do të përpiqemi të i influencojmë pozitivisht në vendet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Ne vlerësojmë reformat në sistemin e drejtësisë që janë bërë deri më tani. Më vjen mirë që opozita flet me të njëjtën gjuhë si pozita për një interes kaq madhor si liberalizimi i vizave”, ka thënë Casellati.

Bashkëbiseduesit u dakorduan që marrëdhëniet midis dy parlamenteve të hyjnë në një dinamikë të re, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, kryeparlamentari Veseli shoqërohet edhe nga përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës: Glauk Konjufca (VV), Aida Dërguti (PSD), Ahmet Isufi (AAK), Srdjan Mitrovic (LS), Haxhi Shala (NISMA) dhe Albert Kinolli (6+).

Të ngjashme