Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas dënimit me burgim të përjetshëm të Radovan Karaxhiqit, duke thënë se në Serbi ende jetojnë shumë të tillë të lirë.
Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, Veseli ka thënë se vendimi i Tribunalit të Hagës për ta dënuar përjetësisht Karaxhiqin për krimet e kryera në Bosnje e Hercegovinë, është satisfaksion moral për viktimat e pafajshme.
Tutje, ai ka shtuar se ky gjykim nuk duhet të kuptohet si mbyllje e kapitullit të drejtësisë për këto luftëra, duke theksuar se në Beograd jetojnë ende të lirë shumë Karaxhiqë të tjerë, të cilët urdhëruan masakrat në Kosovë.
“Në Beograd ende jetojnë të lirë shumë Karaxhiqë të tjerë, të cilët urdhëruan masakrat në Kosovë. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë”, ka shkruar ai.
Veseli ka përfunduar se Kosova nuk do të heqë ansnjëherë dorë nga Kërkimi i drejtësisë.
Postimi i plotë:
Aktgjykimi përfundimtar i Tribunalit të Hagës që dënon me burg të përjetshëm Radovan Karaxhiqin për gjenocidin e kryer në Bosnjë e Hercegovinë është satisfaksion moral për qindra mijëra viktima të pafajshme. Njëkohësisht është konfirmim i faktit se Serbia ishte agresori i luftërave që përgjakën ish Jugosllavinë. Por, ky aktgjykim nuk duhet të kuptohet si mbyllje e kapitullit të drejtësisë për këto luftëra. Në Beograd ende jetojnë të lirë shumë Karaxhiqë të tjerë, të cilët urdhëruan masakrat në Kosovë. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Kosova nuk harron dhe kurrë nuk do të heqim dorë nga kërkimi i drejtësisë.