(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit, pas vizitës që i bëri kullës së Isa Boletinit, tha se shqiptarët do të bashkohen në Bashkimin Evropian.
Kadri Veseli shtoi se shqiptarët nuk i kanë pasur punë kurrë më mirë se tash, andaj edhe duhet besuar në institucione, raporton Ekonomia Online.
“Duhet të jemi krenarë ku kemi arritur, shqiptarët nuk i kanë pasur punë kurrë më mirë se tash, duhet të jemi krenar për shtetin tonë, duket pasur besim në kombin tonë, siç kemi besim në zot mos me qenë hezitues dhe mos me lejuar në as një mënyrë që me u dëmtuar ajo që është ndërtuar ajo që është arritur, për arsye se këto janë të arritura të mëdha, por në të njëjtën kohë ka edhe shumë për t’u bërë”.
“Veçanërisht në forcimin e shtetit, sovranitetit dhe formimin e mirëqenies ekonomike, kjo është ajo çka duhet ta bëjmë. Besa, baza Isë është baba i shtetit të Kosovës, kemi me u bashkuar në BE, këtë e dini të gjithë, këtë nuk ka kush që e ndalë”, theksoi Veseli.
Por i pari i Kuvendit siguroi se askush nuk mund ta rrënojnë shtetin e Kosovës të ndërtuar me mund.
“As një gur që u ndërtua në këto kulla nuk mundet me u shkatërru. Janë munduar të tjerët me i shkatërru, s’ka me pasë mundësi askush me i shkatërru, ashtu edhe shtetin kemi me mbajt të fuqishëm”, tha Veseli, duke shtuar se ata që e i gjuajnë institucionet me gurë nuk e njohin sakrificën e të rënëve e nuk e duan të ardhmen e vendit.
“Edhe mos me i qu zoti shumë peshë me hedh gurë në shtetin e Kosovës. Ata njerëz që ngrenë dorë mbi shtetin e Kosovës, ata nuk e njohin sakrificën e të rënëve. Ata njerëz i kanë hezitimet ndaj sukseseve të Kosovës, ata njerëz nuk e donë të ardhmen e Kosovës, sepse e ardhmja e Kosovës do të ecën gradualisht. Kemi veç 9 vjet shtet dhe jemi duke ecur përpara”.
“A kemi të meta? Kemi shumë. A duhet me u përmirësu? Duhet. Por assesi nuk duhet me shkatërru”.
Ai premtoi investime në kullën e Isa Boletinit, vitin tjetër, që ky vend krahas dimensionit historik, të marrë dhe vlera kulturore-historike.
Në këtë ceremoni foli edhe përfaqësuesi i familjes Boletini, Gazmend Boletini, i cili falenderoi kryeparlamentarin Veseli për respektimin e figurës së Isa Boletinit për çdo vit.
Veseli: Kosova vend ku sundon ligji e i barabartë për të gjithë qytetarët, siç deshi Isa Boletini
Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, është organizuar ceremoni nderimi në kompleksin memorial në Boletin, në nderim të heroit kombëtar Isa Boletini.
Kryetari Veseli fillimisht bashkë me familjar të Isa Boletin e të pranishëm të tjerë nderuan flamurin kombëtar dhe atë shtetëror, ku me këtë rast u bë edhe intonimi i himneve përkatës.
Kryekuvendari Veseli vendosi kurora lulesh mbi varrin e Isa Boletinin.
“Jemi tanë mirë kur Shqipëria është mirë” tha kryetari Veseli duke sjell në kujtim fjalët e heroit.
Nga këtu i pari i Kuvendit tha se Shqipëri dhe shqiptarët po ecin mirë përpara.
Sipas Veseli, Kosova është shtet i lirë dhe pavarësia e vendit është e shenjtë dhe pacenueshme.
“Askush nuk mund ta cenojë lirinë e Kosovës”, tha Veseli duke shtuar se Kosova do të jetë shtet ku sundon ligji e vend i barabartë për të gjithë qytetarët.
Ngase sipas tij, kjo është ajo që e ka dashur edhe Isa Boletini, por edhe të gjithë atdhetarët që kanë rënë për liri.
“Lavdia është e përjetshme për të gjithë të rënët, Mitrovica është krenare që Isa prehet këtu, edhe Kosova është krenare për patriotë të tillë. Besatohemi se do të punojmë fuqishëm që të realizojmë idealet e heronjve të atdheut. Lavdi për të gjithë të rëndët, urime 28 nëntori të gjithë shqiptarëve ku do që janë”.