Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas përfundimit të seancës, në një prononcim për medie ka thënë se pa Kosovën shtet sovran dhe pa partnerët ndërkombëtar si ShBA-ja, askujt nuk i duhet pushteti dhe karrigia, raporton Ekonomia Online.
Sa i përket votimit të Ligjit për Dialogun dhe Platformën dialoguese, Veseli tha se nga sot Kosova është gati të ballafaqohet me nivelin e dialogut me Serbinë.
“Nga sot Republika e Kosovës, është gati të ballafaqohet në procesin e dialogut final i cili do të thotë për ne vetëm ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të thotë shtetësi e plotë, sovranitet i plotë, jo asociacion me kompetenca ekzekutive dhe jo cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Thërras kolegët e opozitës që të bëhen pjesë e këtij procesi. Pjesëmarrja e tyre në procesin e ballafaqimit përfundimtar me Serbinë, i ndihmon vetëm Kosovës, nuk i ndihmon specifikisht luftës politike një partie të caktuar as për të fituar e as për të humbur. Kjo për arsye se pa Kosovën shtet sovran, pa Kosovën shtet të fuqishëm, pa Kosovën partner me SHBA-të dhe BE-në askujt, asnjërit nga nuk i duhet as pushteti e as karriga. Për këtë arsye unë besoj në nacionalitetin e opozitës dhe besoj se do ti bashkëngjiten ekipit dhe do të marrin përgjegjësinë e vet”, tha Veseli.
Veseli tha se ai nuk luan dhe nuk kalkulon me partneritetin me ShBA-në, sipas tij, presidenti Donald Trump është më i larti kur bëhet fjalë për deklarimet e ndërkombëtarëve për Kosovën.
“Mund të ketë nga dikush lojëra për ti ikur diçkaje ne nuk i ikim asgjëje dhe për ne ShBA-ja janë partneri ynë që unë nuk luaj e nuk kalkuloj. Partneriteti ynë do jetë faqebardhë në procesin e dialogut. Më të lartë se presidenti Trump dhe deklarimet e tij për Kosovën nuk ka”, ka thënë Veseli, raporton Ekonomia Online.
Tutje Veseli, tha se me votimin e dy projektligjeve në Kuvend, dërgohet amaneti i të rënëve përpara.
“Kur e kemi aprovuar këtë platformë është arsye epopeja rënia e Adem Jasharit dhe shumë rënie mbi barrën tonë si përgjegjësi që duhet ta qojmë atë amanet përpara”, tha Veseli.