Veseli: Populli ynë do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Britanisë

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 12:43 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Komonuellthit të Mbretërisë së Bashkuar, njëherësh deputet i Parlamentit, Boris Johnson, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kryetari Veseli dhe ministri Johnon diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, ndërsa në shenjë nderimi, shkëmbyen dhurata.

Më pas, ministri i jashtëm britanik iu adresua me një fjalë rasti Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një seancë solemne të thirrur për nder të tij.

Fillimisht, duke përshëndetur dhe i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj mysafirit nga Britania e Madhe, kryeparlamentari Veseli tha se kjo vizitë është shprehje e marrëdhënieve shumë të mira që janë ndërtuar midis dy vendeve, si dhe shprehje e përkushtimit të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për të ndihmuar Kosovën.

Britania e Madhe, shtoi kryetari Veseli, ka qenë gjithmonë pranë Kosovës dhe emri i saj është i lidhur në mënyrë të pandashme me historinë e lirisë dhe pavarësisë sonë. Populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur, tha kryetari i Kuvendit, do t’i jenë gjithmonë mirënjohës këtij shteti mik.

“Ne sot në Kosovë, jemi duke ndërtuar një shtet dhe shoqëri, të frymëzuar nga vlerat themelore të shtetit dhe popullit britanik: demokracia liberale, ekonomia e tregut të lirë, shoqëria e hapur, sundimi i ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut. Të përkushtuar në këto vlera, ne jemi të vendosur të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin me shtetin tuaj. Vizita juaj e sotme në Kosovë, mesazhet e saj, janë fuqizim domethënës i këtij bashkëpunimi”, theksoi kryetari Veseli.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme