Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se Malisheva ka nevojë për forcën e ndryshimit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Veseli ka thënë se PDK-ja bashkë me qytetarët e Malishevës është gati për ta ndryshuar Malishevën.
“Bashkë me Mursel Gashin, kryetarin e ri të Malishevës, bashkë me asamblistët e rinj të Kuvendit Komunal do ta ndryshojmë Malishevën”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka hyrë në këto zgjedhje me një ofertë që bazohet në tre shtylla.
“Kemi kandidatët më të mirë për kryetar të komunave. Kandidatët e PDK-së në të gjitha aspektet bëjnë dallimin e madh me të tjerët. Kemi kandidatët më të mirë për asambletë komunale. Kemi platformën më të qartë, me konkrete dhe më efektive për qeverisjen e komunave në mandatin e ri. Vizioni ynë është shndërrimi i komunave në qendra të zhvillimit ekonomik lokal”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës krijon vende të reja të punës e nuk i pakëson ato dhe as nuk i largon nga puna njerëzit pse mendojnë ndryshe prej nesh.
“Me Mursel Gashin, Kryetar të Malishevës, ne do të ndërtojmë Parkun Modern të Bizneseve dhe do t’i rrisim investimet në bujqësi”, ka premtuar Veseli.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Malishevës, Mursel Gashi, ka thënë se përmes Parkut të Biznesit dhe Zyrës për Zhvillim Ekonomik do t’i japin shtytje zhvillimit të ekonomisë së Malishevës.
Ai ka premtuar grante investive në bujqësi dhe grante investive për të rinjtë dhe gratë e kësaj komune.
Gashi ka premtuar se kanalizimi dhe ujësjellësi do të shtrihen në tërë fshatrat e Malishevës.
Kandidati i PDK-së për Kryetar të Malishevës ka thënë se do të ndërtojë rrugë për qytetarët e Malishevës dhe jo për militantë partiakë.
Ai ka premtuar se do t’i depolitizojë shkollat e Malishevës dhe do të ndërtojë terrene sportive për nxënësit dhe të rinjtë e Malishevës.