Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim asamblistin shqiptar të New Yorkut, Mark Gjonaj, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Kryeparlamentari Veseli dhe asamblisti Gjonaj diskutuan për zhvillimet politike, arritjet e Kosovës në shumë fusha dhe sfidat që ajo ka para vetes. Veseli e konsideroi të një rëndësie të veçantë integrimin dhe depërtimin e shqiptarëve në jetën politike e institucionale të vendeve perëndimore në të cilat jetojnë dhe veprojnë.
Kreu i Kuvendit tha se rasti i Mark Gjonajt është shembulli më i mirë i këtij integrimi, kjo edhe falë mundësive që shteti amerikan u jep të gjithë shtetasve të tij. Veseli shtoi se shqiptarët në Amerikë vazhdojnë të shërbejnë si një urë e fuqishme lidhjeje midis SHBA-ve dhe vendeve prej nga vijnë. Ai tha se diaspora vazhdon të mbetet një prej aseteve kryesore të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa theksoi nevojën për gjetjen e mënyrave për investim më të madh në Kosovë të ndërmarrësve shqiptarë në diasporë.
Asamblisti Mark Gjonaj, nga ana e tij, e njoftoi kryeparlementarin Veseli për punën dhe angazhimet e tij në jetën politike amerikane.