Veseli: Qeveria e re do të jetë vazhdim i mashtrimit të qytetarëve që ua bënë VV-ja e LDK-ja

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 12:47 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë seancën e sotme se Vetëvendosje dhe LDK i mashtruan qytetarët e Kosovës duke ju ofruar shpresë e në anën tjetër për 100 ditë qeverisje degraduan çdo të arritur të shetit në 20 vite liri duke shkaktuar rrezik nacional për vendin.

Lideri i PDK-së tha se Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve, por e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe këtë, qytetarët do ta përjetojnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt, raporton Ekonomia Online.

“Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore, me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë”, tha Veseli.

Ai tha se në këto 100 ditë, Kosova u qeveris nga një mendësi e paranojave, që shpik armiq në shtëpinë e vet, që shpik armiq në shtëpitë e miqve më të mirë të Kosovës.

“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi”, tha Veseli.

Ai tha se votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë qeverinë e re. “Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet”, tha ai.

“Unë e kam nisur një rrugë dhe e kam një qëllim, që do ta çoj deri në fund. Unë besoj në këtë vend. Besoj në njerëzit e mirë dhe të zotë të këtij vendi për të bërë ndryshime të mëdha. Kriminelëve, të korruptuarve dhe mashtruesve do t’u vijë fundi, ndërsa rendit, ligjit, të drejtit dhe punëtorit do t’i vijë çasti. Kjo është e domosdoshme, e pashmangshme dhe këtë nuk do të mund ta ndalë askush”, tha Veseli.

Të ngjashme