Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha sot në hapje të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit se nuk ka besuar kurrë se do të vijë një ditë që të flas në Kuvendin e Kosovës për rëndësinë e raporteve Kosovë-SHBA.
Lideri i opozitës, Kadri Veseli, tha se për vetëm 1 muaj qeverisje, Albin Kurti nuk ka ndërmarrë asgjë në politikat e brendshme, në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, nsërsa për laq pak ditë aeverisje, po e rrezikon edhe shembjen e investimit historik në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk e kam besuar se do të vinte një ditë si kjo, që në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të flisnim në këtë mënyrë për rëndësinë e raporteve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk e kam besuar as që për vetëm pak ditë – kjo Qeveri do të krijonte kaq shumë paqartësi, kaq shumë frikë qytetare dhe dilema shtetërore. Jo se kam pasur ndonjë iluzion në këtë koalicion qeverisës. Por, kam besuar se nuk do të harrohet asnjëherë rruga dhe çmimi që na kanë sjellë deri këtu”, tha Veseli.
Ai tha se sjelljet e kryeministrit aktual po e rrezikojnë miqësinë e shenjtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
“Dhe, më e rënda, mbase edhe për shkak të dogmave ideologjike personale – po sakrifikohet qytetari dhe shteti, në vend se të sakrifikohej dogma – për ta ruajtur qytetarin dhe shtetin. Pas një muaji shqetësimesh, të ditëpërditshme, kulmi po arrihet me paralajmërimet e fundit për Kosovën nga partneri ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore në vlerë prej qindra miliona dollarësh”, tha Veseli.
Sipas tij, me këtë mendësi të qevetisë aktuale, dëmi që po i shkaktohet Kosovës është tepër i madh, jo vetëm në relacion me aleatin tonë strategjik, jo vetëm me pozitën tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe për vetë qenien tonë nacionale.
Kreu i PDK-së tha më tutje se me dëshirë në këtë seancë do të fliste për programin qeverisës, për premtimet e Qeverisë dhe kryeministrit.
“Sot, më me dëshirë do të pyesja për mundësitë e realizimit të planeve të kësaj Qeverie. Se çfarë do të bëjnë për mjekët, arsimtarët, për rininë që po ikë nga vendi i vet, fermerët, pensionistët, punëtorët e sektorit privat – rritjen e pagave të tyre dhe balancimin me sektorin publik, për rimbursimet e familjeve që kanë të ardhura më të vogla se 5 mijë euro në vit, siç kanë premtuar; për forcimin e ushtrisë, për fuqizimin e ekonomisë? Se çfarë do të bëjnë për luftimin e korrupsionit, nepotizmit, krijimit të shanseve të barabarta? Për të gjitha këto, janë dhënë premtime dhe ka pritje nga qytetarët. Për të gjitha këto, më me dëshirë do të kërkoja llogari në emër të qytetarëve”, tha Veseli duke shtuar se për këto, si lider i opozitës do ta mbështeste Qeverinë për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar.
“Edhe për t’i çuar hajnat në burg. Të gjithë hajnat në burg, pa dallime partiake. Të gjithë keqpërdoruesit. Të gjithë abuzuesit. Por, frikësohem se nuk jeni të sinqertë. Janë ndërtuar iluzione dhe po manipulohet me emocionet e qytetarëve”, tha Veseli.
“Më me dëshirë do ta kisha pritur dështimin tuaj të pashmangshëm, për katër vjet qeverisje, për shkak të premtimeve të pabazuara dhe të pambajtura, sesa ta shoh rrëzimin tuaj të shpejtë nga konfrontimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.
Ai theksoi se e din saktë se lojërat politike të kryeministrit aktual që ta luftojë të jashtmen me të brendshmen dhe ta luftojë të brendshmen me të jashtmen, janë strategji e tij për ta mbuluar dështimin.
“Por, tendosja e shtetit, me krijimin e tensioneve të tilla të panevojshme, deri edhe me miqtë tanë më të mëdhenj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është gabim jashtëzakonisht i rëndë. Është llogari e bërë keq”, tha Veseli.
Ai tha se kryeministri aktual po mendon se do ta mbajë nën kontroll dhe do ta menaxhojë orkestrimin e nisur për kultivimin e frymës anti-amerikane.
“Më vonë, ndoshta keni menduar të paraqiteni edhe më pro-amerikan se ne të tjerët. Por, qëndrimi personal i juaji, i imi, i kujtdo tjetër, është i parëndësishëm. Mirëpo, si Kryeministër dhe Qeveri, qëndrimi ka shumë, shumë rëndësi.
Rruga që keni zgjedhur, duke e ndarë popullin në dysh – në amerikan dhe anti-amerikan, po rrezikon vërtet ta bëjë çarjen e kohezionit tonë shoqëror, në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli, ndërsa i ka parashtruar disa pyetje Kurtit.
“A mund të na tregoni – çfarë po synoni të arrini me këtë qasje? A mund t’i garantoni qytetarët e Kosovës për sigurinë e tyre fizike dhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, në gjithë hapësirën e territorit të Republikës së Kosovës? Çfarë garanci kanë qytetarët shqiptarë në shtëpitë e tyre në Veri të Kosovës? A mund të garantoni se me politikat që po ndiqni, nuk largohen trupat amerikane nga Kosova? Cilët janë aleatët tuaj të rinj, në këtë rrugëtim tuajin, nëse trupat amerikane largohen nga Kosova? Cila është alternativa tjetër e politikës suaj karshi partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Për të gjitha këto, populli i Kosovës sot ka nevojë ta dëgjojë një përgjigje të qartë nga ju”, tha Veseli.
“Në vendin tonë të lirë, ne mund të jemi të djathtë ose të majtë. Konservatorë, liberalë, ose komunistë. Por, Kosovën do të duhej ta kishim përtej ideologjive. Mund të jemi në pushtet, ose në opozitë. Mund të kemi vizione ose programe të ndryshme politike. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë që e kemi vetëm këtë shtet, me interes nacional të qartë. Është e patolerueshme që ky shtet, i ndërtuar me mund e sakrificë, të na rrezikohet nga kushdo qoftë, aventuristë politikë, njerëz që nuk ia dinë peshën të arriturave të deritashme, përfshirë marrëdhëniet tona të shenjta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha lideri i PDK-së.
Në fund të fjalës së tij, Veseli i tha kryeministrit Kurti se deputetët e opozitës nuk janë armiq të qeverisjes.
“Por, me këtë qasje, ju jeni duke u bërë kundërshtari më i madh i vetvetes dhe i Kosovës. Dhe, ne nuk jemi me juve”, tha Veseli.