Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos udhëheqë me inate, por të ulet me opozitën dhe Odat Ekonomike që të bisedojnë për t’u tejkaluar situata ekonomike në të cilën gjendet Kosova në këtë kohë pandemie, raporton Ekonomia Online.
Veseli ka thënë se Trusti Pensional nuk është e vetmja zgjidhje, por siç thotë Veseli, Qeveria duhet të zhbllokohet dhe nuk duhet të udhëheqë me inat.
“Ata duhet të ulen bashkarisht me ne, me Odat Ekonomike, ta tejkalojë situatën ekonomike të cilën e kemi bashkarisht, edhe të mos prodhojë lajme të cilat kanë vetëm qëllim social, duke u munduar të joshë përmes Trustit Pensional, për arsye se nuk është trusti e vetmja zgjidhje. Është prodhimi, këto fabrika, rrotullimi i këtyre makinerive ajo që e zgjedh problemin ekonomik dhe social në Republikën e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Këto komente, Veseli i bëri gjatë vizitës së fabrikës së pelenave “Tina”, në Topanicë të Kamenicës.
Ai e ka cilësuar si të dhembshme që pronari i kësaj fabrike, Zijadin Ismajli i cili ka ardhur nga jashtë që të investoj në Kosovë, të mos përkrahet nga Qeveria.
Kreu i PDK-së, ka thënë se janë 286 mijë familje të cilat varen nga bizneset e sektorit privat.
“Në fakt, është e dhembshme kur e sheh një investim të tillë, rreth 600 mijë franga, të ardhura nga një njeri i yni i Kosovës të investoj në vendin e vet, prodhoj në vendin e vet, t’i ofroj mundësi familjeve punëtore të vendit të vet, që të kenë edhe të ardhura, që të mos përkrahet edhe nga shteti. 6 muaj janë të pakos së rimëkëmbjës ekonomike që presin, dikund janë me mijëra biznese, dhe 286 mijë familje të cilat mbahen pikërisht nga sektori i privat, si në këtë fabrikë të Zijadinit që presin përkahje nga shteti. 6 herë dështime në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta miratuar një pako”, thotë ai.
Veseli thotë se ndërmarrësit qe 21 vjet kanë mbushur buxhetin e Republikës së Kosovës, mirëpo Qeveria ka dështuar në përkrahje të tyre sivjet kur ata kishin nevojë.
“Është hera e parë pas 21 viteve që këta ndërmarrës të cilët e kanë bërë buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, e kanë mbushur me taksat e tyre, me punën e tyre të ndershme, që kanë pasur nevojë nga shteti, nga Qeveria, edhe këtë herë është duke deshtuar.
Vërtetë, është e dhimbshme edhe nga ky vend, nga kjo fabrikë e pelenave për fëmijë, “Tina” një prodhim jashtëzakonisht cilësor i cili ka arritur të ketë plasmanin në gjithë Republikën e Kosovës, por edhe jashtë, në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Veseli.
Veseli gjithashtu thotë se është rast i rrallë kur opozita është e gatshme ta përkrahë një pako të rimëkëmbjes ekonomike.
“Një mentalitet vërtetë bllokues nga dy Qeveritë, edhe ajo paraprake e cila qëndroj vetëm 52 ditë, edhe kjo e cila po qëndron këtu, po qëndron lodhshëm, nuk pranon, rast unikat në botë ndoshta kur opozita është e gatshme të përkahë një pako të rimëkëmbjes ekonomike, në fakt edhe të propozojmë si Partia Demokratike e Kosovës dhe Qeveria, do të thotë të jetë e bllokuar për gjashtë muaj, gjashtë herë ta dërgoj në Kuvend, mos të ulet me Odat Ekonomike, mos të ulet me ndermarrsit si Zijadini, dhe ndermarresit tjerë”, ka thënë Veseli.
Ndërsa pronari i kësaj fabrike, Zejadin Ismajli thotë se kjo është vizita e parë nga një politikan, ku dhe shprehet falenderues ndaj kreut të PDK-së.
“Është vizita e parë që na viziton një nga politika. Sic po e shihni edhe vet, ne makinen e kemi të nxjerrun nga perdorimi, shkaku i epidemisë. Ne nuk e kemi ndihmesa nga shteti, po as vizita nuk kemi pasur kurr. Kjo është vizita juaj e para dhe ju falenderoj perzemersisht që na keni bërë një vizitë”, ka thënë Ismajli.