Kryeparlamentari Kadri Veseli ka reaguar pas sulmit fizik të deputetit liberal serb të Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq.
Veseli ka shkruar se e dënon sulmin ndaj Petroviqit, ndërsa kërkon nga organet e rendit që të zbardhin këtë rast.
“Dënoj ashpër sulmin ndaj Deputetit të Kuvendit të Kosovës, z. Sllobodan Petroviq dhe shpreh solidaritetin e mbështetjen ndaj tij. Po ashtu inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin në mënyrë të plotë këtë ngjarje të rëndë e të venë para përgjegjësisë së ligjit këdo që qëndron pas saj”, ka shkruar Veseli në Facerbook.
“Vlera si liria e mendimit, e besimit dhe e bindjeve vetjake janë në themel të shoqërisë sonë demokratike e askush nuk duhet të lejohet t’i prekë ato nëpërmjet dhunës dhe gjuhës së urrejtjes”, ka shtuar ai.
Ndryshe deputeti Petroviq, akuzoi një anëtar të Listës Srpsa që ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallos.
Ndërsa Lista Srpska reagoi duke thënë se ishte Petroviqi ai që sulmoi i pari anëtarin e kësaj partie.
Petroviq është deputeti i vetëm nga Partia Liberale Serbe në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lista Srpska ka 10 deputetë.
Së fundmi në Qeverinë Haradinaj pas shkarkimit të Rikallos, pozitën e ministres së Bujqësisë e ka zënë Diana Xhiviq e partisë së udhqhequr Petroviq.