Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt ku ishin të pranishëm anëtarët e Kryesisë dhe shefat e Grupeve Parlamentare nga pozita dhe opozita.
Sipas rendit të ditës dhe pas diskutimeve pro dhe kundër projektligjit të marrëveshjes ndërkombëtare për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Kryesia vendosi që seanca e radhës të mbahet më 1 shtator në ora 10:00.
Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeparlamentari Kadri Veseli tha në konferencë për media se partitë politike duhet të marrin përgjegjësi dhe mos të luajnë me emocione të qytetarëve për padrejtësitë historike që u janë bërë ndër vite.
Kryetari i Kuvendit theksoi se Kryesia e partisë që ai drejton ka marrë vendim unanim që ta mbështesë marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Më tutje, Veseli shtoi se vendimi për këtë çështje duhet të merret në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të partive politike për të ngritur kauza të paqëndrueshme nga emocionet e qytetarëve nga zona të caktuara, nga procesi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit dhe nga Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të përfitojë askush politikisht.
Kryeministri Mustafa do të paraqitet në dy interpelanca, sipas kërkesës së deputetëve të Vetëvendosjes, ndërkaq do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të jetë:
Interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kodin Telefonik Shtetëror të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën seancë është paraparë edhe interpelanca tjetër e kryeministrit Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Në vazhdim do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Do të pasojë shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2015, si dhe propozimi i GP të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia i shqyrtoi edhe kërkesa dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.
Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare është penguar përkohësisht për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës (nga shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca), për të vazhduar pas gjysmë ore në një sallë tjetër të Kuvendit.