Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar pas ndalimit nga policia serbe, Sërgjan Jovanoviq, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj njëherësh anëtar i Partisë Liberale Serbe të Kosovës, SLS.
Veseli thotë se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe synon përndjekjen e serbëve të Kosovës.
Ai ka kërkuar nga BE-ja që të reagojë në lidhje me këto veprime të autoriteteve serbe.
Reagimi i plotë i Veselit
Ndalimi dhe marrja në pyetje nga autoritetet e Serbisë të një zyrtari tjetër të Partisë Liberale Serbe, Sërgjan Jovanoviq e që është edhe anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës është veprim i papranueshëm dhe që synon të përndjekë serbët e Kosovës që duan të integrohen në shtetin tonë. Ky është një akt që ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës.
Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe të kërkojë nga Serbia që të ndalë këto veprime provokuese. Këto akte dëshmojnë mungesë të vullnetit të Serbisë për të dialoguar e për t’u pajtuar. Veprime të tilla nuk duhet të përsëriten më.