Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka ngushëlluar familjarët e gazetares Ardita Sylejmani, stafin e RTK-së dhe gjithë komunitetin e gazetarëve, me rastin e vdekjes së gazetares së njohur të televizionit publik.
“I hidhur ishte lajmi për vdekjen e gazetares Ardita Sylejmani.
Ikja e saj kaq e hershme, përveç dhembjes së madhe në familje dhe te kolegët e saj, lë një boshllëk të madh edhe në gazetarinë televizive të Kosovës.
Puna e saj do të të mbetet udhërrëfyes për gjeneratat e reja të gazetarëve, ndërsa figura e saj shëmbëlltyrë e një gazetareje profesioniste, e një nëne dhe gruaje të përkushtuar.
Ngushëllime familjes dhe kolegëve të saj”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit Veseli.