Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të kryeministrit Albin Kurti i cili e cilësoi marrëveshjen ndërmjet shtetit të Kosovës dhe NATO-s si diçka të rrezikshme për Kosovën.
Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se është shumë shqetësuese që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Deklarata e plotë e Kadri Veselit:
Është shqetësues fakti që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Gjatë luftës sonë çlirimtare, kam qenë vetë dëshmitar i veprimeve të kësaj Aleance, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ne, në interes të Kosovës, çlirimit të vendit tonë dhe kthimit të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre.
Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës. Sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë. NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.