Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar për sulmin e mbrëmshëm në Kuvend, duke e quajtur një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës.
Veseli thekson se si motivuesit, ashtu edhe kryesit e këtij sulmi tinëzar, duhet ta kenë të qartë se asnjë formë e dhunës, as metodat e frikësimit, nuk do të munden kurrë të ndalojnë agjendën e fuqizimit dhe konsolidimit të shtetit tonë.
“Ftoj të gjitha forcat politike në vend që të distancohen qartë nga veprimet të tilla që duan të destabilizojnë vendin dhe të motivojnë edhe më shumë ata që janë kundër shtetit të Kosovës. Ne së bashku e kemi ndërtuar këtë shtet, së bashku duhet ta mbrojmë, ta zhvillojmë e fuqizojmë. Ftoj qytetarët tanë që të kenë besim në institucionet tona, në kapacitetet e tyre për të garantuar rendin, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend”, thuhet në reagimin e Veselit.