Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Drejtoreshën Regjionale të UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Khan, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate nga Kuvendi, në takim u diskutua për rolin që UNICEF-i ka luajtur dhe luan botë, në mbrojtjen e fëmijëve dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për ta.
Kreu i Kuvendit falënderoi drejtoreshën Afshan Khan për kontributin që UNICEF-i ka dhënë për fëmijët e Kosovës gjatë luftës dhe pas saj.
Veseli e njoftoi udhëheqësen e UNICEF-it për rolin dhe angazhimin e Kuvendit në hartimin e bazës ligjore në mbrojtjen dhe sigurimin e qasjes së fëmijëve pa dallim, në të gjitha shërbimet e nevojshme për ta.
Drejtoresha Regjionale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Khan, nga ana e saj, foli për angazhimet e UNICEF-it në vende të ndryshme të botës dhe veçanërisht në Kosovë, për të siguruar të drejtat e fëmijëve të çdo komuniteti.