Veseli me Trump, sinjal politikës vendore dhe rajonale

Prishtinë | 24 Shk 2017 | 09:46 | Nga Petrit Selimi

Trump – Veseli pos që jep një kurajë politike Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, bëhet edhe një mesazh shumë vizibil dhe gati qorrues për ata që nënvleftësojnë dhe dyshojnë në kontinuitetin e angazhimit dhe qëllimeve amerikane në Ballkan. Këto qëllime nuk janë partiake as në Amerikë e as në Kosovë, por në thelb e kanë mirëqenien e të gjithë qytetarëve dhe integrimit e plotë të Kosovës në familjen e madhe Euro-Atlantike.

Në kohën e polarizimeve partiake apo etnike, vështirë është të diskutohet racionalisht për disa procese politike si në vend ashtu edhe jashtë. Fitorja e Presidentit Trump në SHBA shumë shpejt u shndërrua në një pikë fokale të thyerjeve dhe debateve, si në mes shqiptarëve ashtu edhe në mes Kosovës dhe Serbisë.

Reagimet serbe pas fitores së Donald Trump ishin fillimisht euforike. Gazetat serbe botonin postera të Trump si dhuratë lexuesve, ndërsa në mbarë Serbinë por e dhe Mitrovicën veriore u vendosën billbordët me fytyra të Trump dhe Putin në “përqafim vëllazëror”. Në Shqipëri Kryeministri Rama përjetoi një mal akuzash për pakujdesi në përkrahje të hapur Hillary Clinton ndërsa edhe në Kosovë kishte zëra të schadenfreudit tipik lokalist se “epoka e marrëdhënieve të mira në mes Hashim Thaçit dhe amerikanëve mbaroi”.

Alarmi për ndryshime drastike në politikën amerikane, ishte i parakohshëm, gëzimi i atyre që për dështimet e tyre fajësojnë “amerikanët”, ishte afatshkurtër.

Fillimisht, Presidenti Thaçi bëri një potez të shkëlqyer diplomatik duke vizituar Washingtonin herët gjatë tranzicionit dhe duke u takuar me njerëzit kyç të tranzicionit. Kosova ka përkrahës të shumtë dhe përkrahje fundamentalisht të rëndësishme tek lidershipi i Partisë demokratike amerikane, nga Kongresmeni Eliot Engël e deri tek doajenët si Madlen Ollbrajt, por Presidenti Thaçi shumë shpejt zgjeroi diapazonin e ndërveprimit tonë diplomatik duke krijuar kontakte me fytyra kryesore të Partisë Republikane, nga intelektualet e Heritage Foundation, që sot njihen si platformë kryesore e tranzicionit Trump e deri tek senatorët miqësore si Xhon Mekejn, Xhodi Ernst dhe Çak Grasli.

Natyrisht, përkrahja e vazhdueshme e ish Senatorit dhe kandidatit presidencial Bob Doll është thelbësore, posaçërisht pasi Doll edhe formalisht është zëvendës kryesues i ekipit tranzitor të Presidentit Trump. Kjo vizitë e hershme e Thaçit çimentoi marrëdhëniet me administratën e re dhe krijoi Kosovës një thellësi kontaktesh që do të kryejnë punë në vitet që shkojnë. Bagazhi politik i Thaçit kështu mbetet si një nga levat bartëse të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe SHBA-ve për vitet që vijnë.

Tani ndodhi moment i dytë i projektimit të një pjekurie politike të lidershipit kosovar. Kryetari I Kuvendit dhe i partisë më të madhe kosovare njohtoi publikën për takimin që ka pasur me Presidentin Trump dhe Zëvendës Presidentin Pence gjatë vizitës së fundit në Uashington. Kryetari Veseli kështu sot është i vetmi lider në Ballkan por edhe më gjerë, që ka pasur mundësi të bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me Presidentin e ri amerikan. Kjo vizitë dhe ky takim definitivisht shpërtheu fluskat e haresë së tabloideve serbe.

Fotografia Veseli – Trump kështu është një dëshmi e vazhdimësisë së politikës amerikane ndaj Kosovës. Ne jemi shteti i vetëm në botë ku ka udhëkryq rrugor që bart emra të presidentëve Klinton dhe Bush, si një simbol i Kosovës që është produkt i politikës amerikane pavarësisht partive në pushtet.

Mësimi i këtyre takimeve të Presidentit Thaçi dhe Kryetarit Veseli në Uashington është i rëndësishëm. SHBA në Ballkan kërkon partnerë që operojnë konform kornizave politike të krijuara tash e disa dekada: i tërë Ballkani në paqe, në fqinjësi të mirë dhe duke respektuar pikat referente të angazhimit strategjik amerikan, nga Pakoja e Ahtisarit e deri tek Marrëveshja e Ohrit. Asnjë aktor në peizazhin politik të Kosovës nuk do të mund të bëhet bashkëbisedues strategjik me partnerët perëndimorë, nëse krijon huti dhe shkarje në këto pika referente. Çështjet si demarkacioni dhe dialogu me Serbinë nuk mund të përfundojnë me metoda të dhunës që krijojnë rrezik për stabilitet në Kosovë dhe në rajon.

Kështu fotoja Trump – Veseli pos që jep një kurajë politike Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, bëhet edhe një mesazh shumë vizibil, dhe gati qorrues për ata që nënvleftësojnë dhe dyshojnë në kontinuitetin e angazhimit dhe qëllimeve amerikane në Ballkan. Këto qëllime nuk janë partiake as në Amerikë e as në Kosovë por në thelb e kanë mirëqenien e të gjithë qytetarëve dhe integrimit e plotë të Kosovës në familjen e madhe Euro-Atlantike.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme