Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që në zgjedhjet e 30 gushtit të dalin dhe të votojnë për partitë shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë që në këtë mënyrë, ata e forcojnë peshën e tyre për të ndikuar në vendim-marrjen e këtij shteti dhe përmbushjen e kërkesave të tyre legjitime.
“Shqiptarët duhet të kenë besim te forca e votës si dhe te proceset demokratike, si rruga e vetme e duhur për të realizuar të drejtat dhe interesat kombëtare. Bashkëkombësit tanë në Mal të Zi, janë faktor i vyer konstruktiv, gjë që e kanë dëshmuar me përkrahjen e referendumit të pavarësisë, e hyrjes në NATO dhe të gjitha proceseve e reformave demokratizuese të këtij shteti mik”.
“Forcimi i zërit të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Malit të Zi, është në dobi edhe të vetë këtij shteti fqinj, sepse shqiptarët kudo ku jetojnë e mbajnë të palëkundur orientimin euro-atlantik dhe mbështesin pa kursim forcimin e liberal demokracisë dhe bashkëjetesës në diversitet”, ka shkruar Veseli në Facebook.