Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar sot ekspozitën “Imazhe nga zonat e luftës 1998-1999”, të autorit Izedin Krasniqi e cila është hapur në Muzeun e qytetit në Mitrovicë.
Nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, Kryeparlamentari Veseli ka thënë se kjo ekspozitë dëshmon krimet dhe dëmet që ka bërë Serbia në Kosovë, ndërsa ka theksuar nevojën e formimit sa më parë të Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.
“Sot në Muzeun e qytetit në Mitrovicë vizitova ekspozitën “Imazhe nga zonat e luftës 1998-1999”, të autorit Izedin Krasniqi. Fotografitë e ekspozuara dëshmojnë krimet dhe dëmet që ka bërë Serbia në Kosovë. Derisa kriminelët që kanë kryer gjenocid e masakra në Kosovë janë të pagjykuar dhe të lirë në Serbi, ne vazhdojmë vetëm të kujtojmë dhimbjet dhe plagët e hapura. Prandaj duhet të veprojmë e ta formojmë Tribunalin Ndërkombëtar dhe t’i sjellim para drejtësisë të gjithë kriminelët serbë që kryen gjenocid dhe krime çnjerëzore në Kosovë”, ka shkruar Veseli.