Veseli: Zëri i Kosovës për të kërkuar drejtësi sot u paraqit edhe në Bienalen e Venedikut

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në hapjen e pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, ku artisti i mirënjohur Alban Muja, ka paraqitur projektin e tij “Family Album” që përshkruan vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës.

Nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, Veseli ka thënë se edhe 20 vjet pas luftës, mijëra shqiptarë janë të zhdukur ndërsa kriminelët serbë shetisin të lirë.

Ai tha se krahas hapave për formimin e Tribunalit Ndërkombëtarë për gjykimin e kriminelëve serbë, Kosova do të paraqesë rrëfimet e saj të luftës në mbarë botën edhe nëpërmjet artit e kukturës, për çka e ka falënderuar Ministrinë e Kulturës dhe artistët për kontributin e dhënë.

“Në prag të 20 vjetorit të çlirimit, shteti ynë ende ka shumë plagë të hapura ku mijëra persona u vranë e zhdukën, ndërsa kriminelët serbë të këtyre vrasjeve janë ende të lirë. Zëri i Kosovës për të kërkuar drejtësi sot u paraqit edhe në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, nëpërmjet paraqitjes së artistit tonë Alban Muja dhe komisioneres Arta Agani. Në rrugën tonë të pakthyeshme për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës, një ndihmë të jashtëzakonshme do ta japin edhe Ministria e Kulturës dhe artistët, nëpërmjet paraqitjeve të tyre brenda dhe jashtë vendit”, ka shkruar Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme