Vështirësitë e karantinës

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

E vështirë ka qenë jeta në karantinë për banorët e tri fshatrave të Podujevës gjatë kohës së izolimit. Përveç mungesës së gjërave ushqimore e barnave gjatë 25 ditëve në karantinë, ata thonë se nuk ka qenë e lehtë të qëndrojnë mbyllur në shtëpi.

Prej 15 marsit kur kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, personi i parë në Komunën e Podujevës, institucionet e vendit kishin marrë vendim për t’i izoluar fshatrat Dumnicë e Epërme, Dumnicë e Poshtme dhe fshatin Llaushë. Gjatë kësaj kohe, deri më 9 prill kur u është hequr kjo masë, banorët e tri fshatrave thonë se intinerar të vetëm e kanë pasur dyqanin në Dumnicë të Poshtme kur kanë pasur nevojë për ndonjë gjë ushqimore. Disa kanë pasur vërejtje edhe për mosdhënien e ndihmave nga institucionet publike, shkruan KOHA.

Përfaqësuesi i fshatit Dumnicë e Epërme, ku ishin të infektuarit e parë në këtë komunë, thotë se kërkesë e tyre ka qenë që fshatrat e tjera të mos futeshin në karantinë, porse ky ishte vendim i institucioneve qendrore.

“Vështirësi kemi pasur sikur gjithë Kosova. Në fillim kemi pasur vështirësi se u futëm në izolim, edhe zgjati gati diku një muaj ditë. Në fillim njerëzit nuk dinin sa po zgjat. E falënderojmë familjen e prekur, e cila gjatë gjithë kohës, por edhe tani, asnjëherë nuk ka dalë prej oborri, edhe na ka ruajtur ne, familjet tona, farefisin, por edhe bashkësinë tonë prej 3-4 fshatrave që jemi, por edhe komunën tonë”, është shprehur Ruzhdi Fazliu.

Ai tregon se ka pasur raste që banorët të kenë mungesa ushqimore, por u kanë dalë në ndihmë nëpërmjet donatorëve.

“Nuk ka qenë lehtë të qëndrojmë, bile i patën bërë do protesta atje, po ata kanë qenë të ardhur e jo të Dumnicës, pa miratimin tonë, por kjo është e mirë me ruajtë shëndetin. Duhet t’i respektojmë organet të cilat i kanë dhanë rekomandimet…Ma mirë është tash, po ky farë orari që u ba, veç ish mirë pasi po ndërrohej çdo 2-3 ditë. A qysh e morëm vesh në fillim ishte ma vështirë, se disa herët në mëngjes, disa në mbramje. Po, edhe mund të them se nuk punojnë këtu, jemi 75-76 familje krejt i kam të punësuar 5-6 veta. Vetëm nëpër ara, e mesap lejohet me punu në bujqësi”, ka thënë përfaqësuesi i Dumnicës së Epërme.

Ndërsa, Bajram Jashari nga i njëjti fshat thotë se askush nuk ua ka hapur derën që prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Dumnicë të Epërme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme