Një vetaksident i rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Pouskë të Prizrenit, ku për pasojë ka humbur jetën një vajzë 19-vjeçare dhe janë lënduar edhe dy persona të tjerë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për Ekonomia Online se aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:19 të mëngjesit të sotëm, më 18 maj 2025.
“Sot, me datë 18.05.2025, rreth orës 04:19, policia ka marrë informacion për një vetaksident në fshatin Pouskë, Prizren. Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë pësuar lëndime. Njëri nga ta, një femër 19-vjeçare, si pasojë e lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa dy të tjerët – një 25-vjeçar me lëndime të rënda dhe një 27-vjeçar me lëndime të lehta trupore – janë dërguar për trajtim mjekësor”, tha Bytyqi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, përfshirë Njësinë e Trafikut Rajonal, ekipet e emergjencës, zjarrfikësit, hetuesit dhe prokurori kujdestar.