Instituti GAP ka prezantuar analizën “Përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura”.
Përfshirja e gruas në Kosovë në pozita vendimmarrëse, udhëheqëse është shumë e ulët.
Nga 159 anëtarë të bordeve në 31 ndërmarrje publike 135 janë burra dhe 24 gra ku vetëm 5 prej bordeve kryesohen nga gratë, raporti i pjesëmarrjes gjinore është 85% burra dhe 15% gra, raporton Ekonomia Online.
Nga 184 anëtarë të bordeve në 31 institucione dhe agjenci të pavarura, raporti i pjesëmarrjes gjinore është 81% burra dhe 16% gra dhe për 3% të anëtarëve nuk ka informacione.
Por Ministri i Zhvillimit Ekonomik, (MZhE), Valdrin Lluka tha se përfaqësimi i grave në borde të ndërmarrjeve tona është 13 për qind.
Sipas tij, ky përqindje kaq e vogël e grave në këto borde është si pasojë e keqmenaxhimit të ndërmarrjeve.
Ai pa thënë se kanë përgatitur një koncept dokument të ligjit për ndërmarrjet publik.
“Ne kemi bërë një koncept dokument ku ligjin për ndërmarrjet publike të bëhet një i ri dhe këtu e kemi një mundësi shumë të mirë dhe do të jetë edhe kjo kuota edhe pse nuk e di nëse do të jetë 40 për qind. Ju garantoj që përkrahjen time e keni dhe do të sigurohem që kjo të jetë në ligjin e ri”, tha ai.
Ndërsa Jeton Mehmeti, nga Instituti GAP, tha se në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike ka pasur telashe ku agjencia Anti-korrupsion ka gjetur se në 17 raste janë shkelur procedurat e rekrutimit.
“Studime të ndryshme nga firmat konsulente më të mëdha në botë si dhe organizata ndërkombëtare tregojnë se diversiteti gjinor ndikon në rritjen e performancës së një kompanie në një sërë aspektesh. Kjo situatë në Kosovë nuk është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian”.
“Rekomandimi jonë është që ligji për themelimin e ndërmarrjeve publike të aplikojnë kuota në 40 për qind. Dhe ne besojmë që përfaqësimi i diversitetit gjinor do të ishte më i kënaqshëm në ndërmarrjet dhe agjencitë tona”.