Vetëm 2 raste aktive me COVID-19 në Klinë, kërkohet që qyteti të hiqet nga karantina

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Klinës deri më tani i ka pasur 5 raste të konfirmuara me COVID-19. Kjo komunë ishte ndër të parat që kishte persona me koronavirus, e kjo ishte edhe arsyeja që Ministria e Shëndetësisë e shpalli zonë karantinë.

Megjithatë, 3 nga 5 të prekurit me COVID-19 në Klinë janë shëruar.

Kryetari Zenun Elezaj, ka thënë për Express se do të kërkojë heqjen e karantinës nga ky qytet, pasi nuk ka raste të reja me koronavirus

Dy raste aktive me COVID-19 janë në komunën  e Klinës. Tre persona tjerë që ishin konfirmuar me koronavirus tashmë janë shëruar.

Për këtë arsye, kryetari Zenun Elezaj, po kërkon që Klinës t’i hiqen masat e izolimit.

“I kemi pasur 5 raste deri më tani. Tre prej tyre janë shëruar dhe dy janë ende me COVID-19. Megjithatë nuk e shohim të arsyeshme të qëndrojmë të izoluar. Do të kërkoj nga Ministria e Shëndetësisë që pas datës 4 maj të mos jemi më në karantinë, nga kjo datë besojmë se do të ketë masa lehtësuese”, ka deklaruar Elezaj.

Elezaj tha se qytetarët po i respektojnë masat e izolimit.

“Qytetarët po i respektojnë masat e Qeverisë dhe Inistitutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për të qëndruar në shtëpi”, theksoi ai.

Ai tha se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë t’i furnizojë me materiale shpenzuese QKMF’të e Klinës.

Klina është futur në karantinë që nga data 13 mars, kur edhe u konfirmua rasti i parë me COVID-19 në këtë komunë.

Izolimi për Klinën po vazhdon edhe tani kur kanë mbetur vetëm dy raste me koronavirus dhe nuk ka raste të reja tash e disa ditë.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 780.

Nga ta tashmë janë shëruar 201, ndërkaq kanë vdekur 22 persona.

Bazuar në masat e reja të vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Të ngjashme