Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka mbajtur takimin e rregullt me drejtorët e drejtorive komunale. Në këtë takim, janë diskutuar një varg çështjesh që preokupojnë qeverisjen lokale. Gjithashtu u diskutua për sfidat në sektorët komunal dhe realizueshmërinë e planeve të qeverisjes lokale në këta sektorë. Ekzekutivi komunal po bën përgatitjet e nevojshme që në afatin ligjor të ftohet edhe një seancë e Kuvendit të Komunës, në të cilën do të prezantohen disa dokumente të rëndësishme siç është Raporti i Punës për vitin 2017 si dhe dokumente të tjera.
Në prag të fillimit të regjistrimit të nxënësve në shkolla të mesme, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu me dakordimin edhe të të gjithë drejtorëve të drejtorive komunale dhe duke u mbështetur në Ligjin për Arsim Parauniversitar dhe udhëzimet administrative përkatëse, mori vendim që numri i nxënësve në paralele të shkollave të mesme të Ferizajt të jetë 28 nxënës, përjashtimisht paraleleve ku ky numër nuk mund të arrihet.
Ky vendim i Aliut është njëri ndër hapat që po ndërmerren në kuadër të politikave arsimore në nivel lokal që favorizojnë cilësinë në arsim dhe kushtet më të mirë për nxënësit. Ditë më parë, me vendim të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu u ndalua edhe organizimi i mbrëmjeve të maturës jashtë territorit të Ferizajt, vendim ky i drejtë gjykuar në pikëpamje të kostos për familjet dhe rekomandimet e Këshillit të Prindërve. Të dy këto vendime dhe vendime të tjera që do të ndërmerren ditëve në vijim janë pjesë e platformës qeverisëse për arsim cilësor, rini të shëndetshme dhe siguri më të madhe në shkolla.
Në këtë takim u diskutua edhe për përgatitjet për shënimin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Komunës së Ferizajt, përgatitje këto që kanë filluar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe shoqatat e luftës së UÇK-së, si dhe një mori çështjesh të tjera siç janë përgatitjet për planet e rishikimit buxhetor, lidhja e bashkëpunimit në disa sektorë më organizata të huaja dhe vendore, mbikëqyrja dhe disejnimi i projekteve në infrastrukturë dhe shërbime publike.