Vetëm 30 për qind e kallëzimeve penale të korrupsionit përfundojnë me aktakuza

Prishtinë | 01 Shk 2020 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Prej rreth 800 kallëzimeve penale që dorëzohen brenda një viti tek prokurorët për rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik vetëm 30 për qind e tyre përfundojnë me aktakuza.

Nga të gjitha rastet e kallëzimeve penale që gjatë një viti pranojnë prokuroritë në nivel vendi, rreth 40 për qind i hedhin poshtë pa zhvilluar fare hetime. Kjo nënkupton që në gjysmën e rasteve të kallëzimeve penale prokurorët nuk nxjerrin fare aktvendim për fillimin e hetimeve. Kallëzimet penale trajtohen si ppn (raste parapenale) apo hetime preliminare dhe prokurorët për mbylljen e tyre bazohen vetëm në atë çka shkruan në kallëzim penal dhe asaj çfarë dërgon Policia me raport të veçantë.

24 për qind të kallëzimeve penale për të cilat prokurori ka vlerësuar se ka prova për të nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve pushohen nga prokurorët kosovarë pas zhvillimit të hetimeve, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq, nga rreth 30 për qind e kallëzimeve penale të korrupsionit që përfundojnë me aktakuza një pjesë e tyre zhvlerësohen në gjykatë. Zhvlerësimi bëhet duke i refuzuar aktakuzat, për shkak të vjetërsimit të rastit ose për shkak që prokuroret heqin dorë nga ndjekja penale. Tek disa raste provat e prokurorisë nuk e bindin gjykatën për fajësinë e të akuzuarve në afera korruptuese.

Këto statistika janë prezantuar nga vetë sistemi prokurorial. Por për Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), organizatë që monitoron sistemin, këto statistika janë shumë shqetësuese.

Në mbledhjen e së premtes të Këshillit Prokurorial të Kosovës, gjatë prezantimit të punës së Prokurorisë së Shtetit, në rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik janë paraqitur edhe këto të dhëna.

Në bazë të raportit të prezantuar nga prokurorja e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, në fillim të vitit 2019, për vepra penale të korrupsionit janë trashëguar 248 lëndë, me 675 persona, ndërsa në fund të vitit kanë mbetur 267 lëndë me 800 persona, por në këtë periudhë raportuese janë pranuar edhe 384 lëndë të reja. Sipas Pulës, një statistikë e mirë është edhe fakti se 31.25% e kallëzimeve penale janë ushtruar nga ana e qytetarëve apo të dëmtuarve, që, sipas saj, shënon rritje të parashtrimit të kallëzimeve penale drejtpërdrejt nga qytetarët.

“Nga 771 personat për të cilët janë ndërmarrë veprimet, 30.54 për qind të rasteve kanë përfunduar me aktakuza, 26 për qind me pushim të hetimeve, 43.50 me hedhje të kallëzimeve, si dhe 0.13% të rasteve janë shqiptuar trajtim të masave”, ka thënë Pula.

Shifra e lartë e kallëzimeve penale të hedhura poshtë, kur bëhet fjalë për korrupsionin, është problem i kamotshëm i Prokurorisë së Shtetit. Në vend që kjo të ndryshojë, Prokurorisë së Shtetit i ka rënë përqindja e aktakuzave të korrupsionit vitin që e lamë pas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme