Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) ka zbuluar se vetëm 40 për qind e fëmijëve nën moshën 6 muajsh ushqehen vetëm me qumësht gjiri. Përderisa, vetëm 16 për qind e fëmijëve nën moshën 6 muajsh nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovë ushqehen vetëm me qumësht gjiri.
Edhe pse Kosova e ka Ligjin për Gjidhënie i cili e mbështet dhe e promovon gjidhënien, shumë fëmijë nën moshën 6 muajsh ende nuk ushqehen vetëm me qumësht gjiri.
Nga 1 deri më 7 tetor UNICEF-i dhe Ministria e Shëndetësisë do ta shënojnë “Javën e Gjidhënies në Kosovë”, tema e së cilës është “Gjidhënia: Çelësi drejt një Zhvillimi të Qëndrueshëm”.
Gjatë kësaj jave aktivitet të ndryshme do të organizohen me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, punëtorë shëndetësorë e prind, ku do të potencohet rëndësia e të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i rekomandojnë që nënat të fillojnë me gjidhënie menjëherë brenda orës së parë të lindjes së foshnjës dhe ta ushqejnë vetëm me qumësht gjiri gjatë 6 muajve të parë.
Organizatat gjithashtu rekomandojnë që gratë t’i ushqejnë fëmijët e tyre për së paku dy vjet me qumësht gjiri dhe të përziejnë qumështin e gjirit me ushqime të tjera të sigurta dhe të shëndetshme duke filluar prej kur foshnja i ka 6 muaj.
Gjidhënia nuk është vetëm gur themeli i zhvillimit të shëndetshëm të fëmijës, ajo është gjithashtu edhe themeli i zhvillimit të shoqërisë.
“Ekzistojnë fakte të bazuara mirë se të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri shpëton jetë dhe mbron shëndetin e nënave dhe fëmijëve. Qumështi i gjirit ka ndikime afatgjate në shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës”, tha James Mugaju, zëvendës-shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.