Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, në bashkëpunim me Agjencinë për Pronësi Industriale dhe Doganën e Kosovës, shënojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale në Kosovë me moton “Gratë në inovacion dhe kreativitet”.
Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe Drejta tjera të Përafërta, Valon Kashtanjeva tha se për shkeljen e të drejtave të autorit deri tani është vetëm një rast i dënuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dënim ku i shqiptuar me kusht, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se të drejtat e autorit janë sanksionuar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe dënohen me Ligj deri në 8 vjet me burg.
“Kur flasim për të drejtat e autorit është e vërtetë se ka pasur zhvillime pozitive, por mbetet ende për tu bërë dhe niveli i piratëria është ende prezentë e sidomos tek librat që janë duke u fotokopjuar pa pasur leje të autorit”, tha Kashtanjeva.
“Ligjit për të drejta e autorit në Republikën e Kosovës fotokopjimin e plotë të librit e ndalon edhe për nevoja personale sepse në disa prej vendeve tjera kjo lejohet, por ligji jonë nuk e lejon këtë, vetëm në rast se nëse kanë kaluar 2 vite nga botimi i librit dhe nuk ka në treg, për nevoja personale mund të bëhet kopje e ligjshme në disa raste”, shtoi Kashtanjeva.
Drejtor i Përgjithshëm i Agjensionit për Pronësi Industriale, Isa Dukaj tha se firmat dhe kompanitë duhet të krijojnë logo të tyre personale dhe jo të mundohen t’i ngjasojnë ndonjë kompanie tjetër pasi që kjo ndikon edhe tek blerësit.
Ai përmendi edhe shembuj të krijimit të disa prej produkteve të cilat kanë imituar kompani të tjera.
“Ne pranojmë 1600 aplikacione për marka të reja për çdo vit në Kosovë, 1600 shenja të cilat identifikojnë produktet e tyre në treg”, tha Dukaj.
“Afatin për mbrojtjen e patentës është 20 vite pas kësaj mund ta përdor çdokush, nëse bënin një shpikje çdo vit duhet paguhet taksë për të dhe taksa vetëm shkon dhe rritet”, shtoi Dukaj.
Sadije Topojani nga Dogana e Kosovës, tha se sipas statistikave të Doganave të Bashkimit Evropian mallrat që falsifikohen më shumë janë prodhimet e duhanit, raporton EO.
“Sipas statistikave të Doganave të Bashkimit Evropian mallrat që falsifikohen më shumë janë prodhimet e duhanit me 17%, etiketat, emblemat, logot dhe etiketat me shenja identifikuese me 13% dhe barnat me 10%”, shtoi Topojani.
Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi tha se po ndjehet mirë pasi që ky aktivitet po zhvillohet në kuadër të të drejtave të pronësisë intelektuale.