Qytetarët e vendit nuk po arrijnë që t’u ndahen bankave. Hallet që kanë po i detyrojnë ata që t’ua mësyjnë këtyre institucioneve për kredi. Aktualisht, numri i kosovarëve që u kanë borxh bankave shkon në rreth 300 mijë, derisa shuma e parave për të cilat u detyrohen sillet mbi 1 miliard euro. Sipas njohësve të ekonomisë, arsye për këtë janë pagat e ulëta dhe çmimet e larta në vend. Ndërkohë, sociologët thonë se marrja e kredive ndikon edhe në shfaqjen e problemeve brenda familjeve.
E udhëheq një shtet të tërë, por paratë që fiton nuk po i mjaftojnë.
Pavarësisht jetës luksoze e të hyrave të majme për të cilat njihet, Presidenti Hashim Thaçi thotë se nuk po ka para që ta bëjë pagesën e shtëpisë, në të cilën ka hyrë së fundi.
Për këtë punë, ia ka mësyrë sërish bankës për kredi. Ai është në pritje të aprovimit të kredisë, derisa për ta kryer pagesën ka afat deri më 31 dhjetor të këtij viti.
“Pagesa e shtëpisë ende nuk është bërë, afati i pagesës është 31.12.2019. Pres aprovimin e kredisë”, thuhet në regjistrin e deklarimit të pasurisë së Thaçit të publikuar nga Antikorrupsioni.
Por, Thaçi nuk është i vetmi “hallexhi”që u ka borxh bankave. Numri i kredimarrësve në vend vazhdon të mbetet i lartë.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, numri i kosovarëve që aktualisht janë në kredi shkon në rreth 300 mijë. Vetëm gjatë këtij viti, në kredi kanë hyrë më shumë se 100 mijë qytetarë nga i gjithë vendi.
Zëdhënësi i BQK’së, Kushtrim Ahmeti i ka thënë Gazetës Express se shuma e parave që qytetarët e vendit i kanë borxh bankave arrin shifrën e më shumë se 1 miliard euro.
“Vlera e shumës së mbetur për gjitha instrumentet kreditore (huatë, mbitërheqjet, kredit kartelat, asetet tjera kreditore, letër kredia, garancionet, lizingu, faktoringu) aktive të kredimarrësve fizik e raportuar në sistemin e RKK-së figuron në total 1,285,417,354 €”, ka thënë Ahmeti.
Por, jo vetëm personat fizik kanë kredi. Një numër i madh i pronarëve të bizneseve, po vazhdojnë të funksionojnë më paratë që i kanë siguruar nga kreditë. Numri i bizneseve që janë në kredi shkon në mbi 20 mijë, derisa vlera e parave për të cilat ata i detyrohen institucioneve financiare në vend sillet rreth 2 miliardë euro.
Ahmeti thotë se shumicën e kredive janë të ekonomive familjare dhe korporatave.
“Në sistemin e RKK-së figurojnë 23,753 kredi marrës juridik që kanë instrumente kreditore aktive, si dhe vlera e shumës së mbetur e raportuar në sistemin e RKK-së për këto instrumente figuron në total 2,186,238,004 €”, thuhet në përgjigjet e Ahmetit drejtuar Gazetës Express.
Ndërkohë, sipas njohësve të ekonomisë, arsyet që kanë ndikuar që të rritet numri i kredimarrësve janë pagat e ulëta dhe çmimet e larta në vend.
Ekonomisti Naim Gashi i ka thënë Gazetës Express se në çdo vend të botës nevojat e investimeve nga familjet mbulohen nga kreditë.
Sipas Gashit, problemi nuk qëndron tek numri i madh i kredimarrësve, por te arsyeja se pse merren kreditë.
Ai i arsyeton kreditë që merren për investime e që rrisin standardin e familjeve, derisa për kreditë që merren për pushime thotë se i varfërojnë familjet.
“Nëse kreditë merren për investime nëpër shtëpi, blerjen e amvisërive ose investime të tjera që nuk kanë dobi të njëhershme, atëherë kreditë janë të mirëseardhura sepse ndikojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e standardit të familjeve. Nëse kreditë merren për konsum, pushime ose shpenzime që kanë dobi të njëhershme, atëherë ato ndikojnë në varfërimin e familjeve”, thotë Gashi.
E arsyet që kanë ndikuar që numri i kredi marrësve të shkojë deri në 300 mijë po del të jenë pagat e ulëta dhe çmimet e larta në vend. Sipas Gashit, me këto paga e vetmja mundësi për investime është kredia.
Fajin për këtë gjendje ai ua lë edhe kamatave të larta, për të cilat thotë se janë përtej çdo logjike.
“Duke marrë parasysh pagat e ulëta që ekzistojnë në Kosovë dhe çmimet e larta, e vetmja mundësi për investime janë kreditë, prandaj edhe numri ka arritur në 300 mijë. Mos të harrojmë edhe një fakt, se kamatat e larta në Kosovë, gati në formë të fajdeve, kanë ndikuar në nivelin e lartë të kredive. Në Kosovë ende ka kamata mbi 20% dhe kjo është jashtë çdo logjike ekonomike kur dihet se interesi në depozita është nën 1%”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës Express.
Edhe sociologët konsiderojnë se numri i qytetarëve që janë në kredi është i madh, derisa thonë se ky numër tregon papunësinë enorme në vend.
Sociologu Leutrim Sahiti i ka thënë Gazetës Express se një nga arsyet që po i shtynë kosovarët drejt kredive është papunësia e lartë në vend dhe pagat e ulëta.
“Niveli i ulet i pagave, papunësia e lartë në vend, të ardhurat e pamjaftueshme dhe në anën tjetër çmimet e larta të produkteve pamundësojnë sigurimin e kërkesave të qytetarëve, andaj qytetarët zgjedhin kredinë si të “keqen” e domosdoshme për të realizuar kërkesat që pagat e tyre nuk mund t’i sigurojnë”, ka thënë Sahiti.
Sipas Sahitit, marrja e kredive është kthyer në domosdoshmëri në mungesë të ndonjë alternative tjetër, derisa thotë se kredia shoqërohet edhe me shfaqjen e problemeve brenda familjes.
“Nuk është traditë por domosdoshmëri, ku qytetarët pavarësisht bindjes që kanë mbi pasojat që mund të bartë kredia, vendosin të marrin sepse nuk shohin alternativë tjetër. Në aspektin socio-psikologjik marrja e kredisë shoqërohet edhe me shfaqjen e problemeve brenda familjeve, duke u nisur nga depresioni, stresi e deri tek prishja e raporteve familjare”, thuhet në përgjigjet e Sahitit drejtuar Gazetës Express.
Ndërkohë për dallim prej qytetarëve që vazhdojnë të marrin kredi nga bankat, të tjerë po iu largohen këtyre institucioneve.
Procedurat e zgjatura e dokumentet e shumta që po u kërkohen nëpër banka, kanë bërë që ata tu drejtohen institucioneve financiare jo bankare që janë hapur së fundi në vend. Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se aktualisht në vend janë të licencuara mbi 60 IFJB, numër ky që nga njohësit e ekonomisë po shihet si i rrezikshëm.
Eksperti bankar, Flamur Keqa i kishte thënë Gazetës Express se themelimi i institucioneve financiare jo bankare është i rregulluar edhe me legjislacionin që hartohet nga ana e rregullatorit.
Por, thotë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme për numrin e institucioneve që i licencon.
Keqa deklaron se qytetarët nuk po kanë shumë informacione lidhur me aktivitetin e këtyre institucioneve, licencimin dhe mbikëqyrjen dhe se kjo krijon rrezik që edhe të mashtrohen.
“Kohëve të fundit në treg po vërehet paraqitja e institucioneve të ndryshëm financiare për të cilat publiku kosovar nuk po ka informata të mjaftueshme apo nuk ka aspak informata lidhur me aktivitetin e tyre, licencimin, mbikëqyrjen dhe kjo krijon rrezik dhe njëherit frike potenciale sa i përket mundësisë eventuale të mashtrimit, keqpërdorimit e kështu me radhë”, kishte thënë Keqa për Express.
Ndryshe, në tërë vendin të licencuara nga BQK-ja janë vetëm 10 banka, të cilat kanë filialet e tyre nëpër gjithë Kosovën, ndërsa numri i IFJB-ve shkon në mbi 60, të cilat ofrojnë mundësi pagese, kredi dhe transferim parash.