Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit do të thirret pas plotësimit të propozimeve nga grupet parlamentare të emrave të deputetëve për kryetarë, zëvendëskryetarë dhe anëtarë të komisioneve parlamentare.
Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës.
Deri më sot propozimet i kanë parashtruar vetëm Grupi parlamentar Lista Serbe, Grupi Parlamentar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupi Parlamentar Nisma për Kosovën.
“Në bazë të përfundimit të Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur me 20 shtator 2017, është kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që t’i propozojë emrat e deputetëve për kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare deri të hënën, më 25 shtator, në orën 12:00”, thuhet në komunikatë.
“Mirëpo, deri më sot, (më 25 shtator, ora 14:00), propozimet i kanë parashtruar: Grupi parlamentar Lista Serbe, Grupi Parlamentar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupi Parlamentar Nisma për Kosovën.
“Pas parashtrimit dhe propozimeve edhe nga grupet tjera parlamentare të emrave të deputetëve për kryetarë, zëvendëskryetarë dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, do të thirret mbledhja e Kryesisë së Kuvendit”.