Veterani i gazetarisë kosovare, Esad Dujaka, i cili sivjet shënon 50-vjetorin e punës së pandërprerë profesionale në gazetari, u prit sot në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.
Me këtë rast, zyrtari për çështje publike dhe medie në Ambasadën e ShBA-së, Richard Mei, i ka uruar Dujakës shëndet dhe e ka inkurajuar atë që të mos ndahet nga profesioni deri në fund.
Dujaka, i cili gjatë karrierës 50-vjeçare punoi në “Zëri”, “Rilindje, TVP, “Kosova Sot” e deri në pension në RTV 21, ku ende u ndihmon gjeneratave të reja në Portalin RTV21, foli me mysafirin e respektuar amerikan rreth sfidave nëpër të cilat ka kaluar ai dhe gjenerata e tij.
Në bisedë me zyrtarin amerikan, Dujaka ka theksuar vështirësitë që po i hasin gjenerata e pasluftës, përfshirë rrezikun nga politizimi, shantazhet e kërcënimet. Dujaka ka treguar se në këtë takim ka folur edhe për nevojën që shteti t’i marrë në mbrojtje kolegët gazetarë, “sepse kudo në botën e civilizuar gazetarët trajtohen si shtylla e katërt e shtetësisë së një vendi”.
Nikoqirit amerikan, ai ia ka dhuruar tri librat e tij që trajtojnë kujtimet e tij gjatë përvojës 50-vjeçare në këtë profesion, ndërsa ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për të gjitha ato që kanë bërë për Kosovën për të qenë kjo që është sot.
Zyrtari për çështje publike, Richard Mei, shprehu interesimin për kontributin që po japin mjetet e informimit ne Kosovë në këtë kohë kur vendi ka humbur shumë kohë në tranzicionin e vet për të zgjidhur problemet kryesore që do ta afronin atë si shtetin më te ri evropian nën çatinë e BE-së.