Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me projektet, sipas saj, të vonuara dhe keqmenaxhuara të Komunës së Gjakovës, si dhe ndërtimin e murit rrethues në Parkun e Qytetit.
Në deklaratën thuhet se bizneset në qendër të qytetit kanë filluar të kenë probleme serioze ekonomiko-financiare për shkak të punimeve të stërzgjatura dhe të vonuara.
“Punimet në rrugën qendrore të qytetit do të zgjasin minimalisht edhe 2-3 vite, për shkak të projektit të zgjerimit dhe rehabilitimit, dhe shikuar në perspektivë dhe bazuar në trendet aktuale, bizneset e mesme dhe të vogla apo ekonomitë familjare do të kenë vështirë të mbijetojnë. Kjo gjendje është në të gjithë qytetin e Gjakovës, kryesisht e shkaktuar nga kaosi infrastrukturor, respektivisht në komunikacion, që janë pasoja të keqplanifikimit dhe keqmenaxhimit”, thotë deklarata.
Ndërsa për ndërtimin e murit rrethues të Parkut të Qytetit sipas tyre është në kundërshtim me Planin Rregullativ Urbanistik dhe kundër çdo trendi botëror për zhvillim të parqeve moderne dhe të integruara.
“Shuma e mjeteve financiare që do të përdoret për ndërtimin e murit rrethues, mund të rialokohen për projekte më prioritare dhe emergjente për qytetarët. Andaj, ky projekt është i palogjikshëm, i kushtueshëm, joestetik dhe mbi gjitha me shkelje ligjore”, përfundon deklarata.