Vetëvendosje ende pa përgjigje për koalicionin me PSD-në në Prishtinë

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 12:08 | Nga

Janë gjashtë muaj prejse Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, duke marrë timonin e Partisë Socialdemokrate, por ende nuk ka arritur të merret vesh me këtë subjekt për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Asnjëra nga këto dy parti nuk janë shprehur të gatshme, të hënën, të flasin publikisht nëse do të mundë të arrijnë një marrëveshje koalicioni për Prishtinën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Muaj më parë PSD-ja i ka ofruar koalicion VV-së, duke ia lënë në dispozicion katër drejtori. Kryetari Ahmeti i ka ofruar mundësinë VV-së ta zgjedhë drejtorinë e katërt: atë të Shërbimeve Publike ose të Administratës.

Në rast të arritjes së marrëveshjes në mes PSD-së dhe VV-së për bashkëqeverisje atëherë ndarja e drejtorive në Komunën e Prishtinës do të jetë si vijon: PSD – 3 drejtori, AKR – 3 drejtori, AAK – 3 drejtori, LB – 1 drejtori, Alternativa – 1 drejtori dhe VV – 4 drejtori.

Po vlerësohet se mungesa e një koalicioni po i dëmton jashtëzakonisht qytetin dhe interesat e qytetarëve, kanë thënë përfaqësues të shoqërisë civile dhe të opozitës në Komunën e Prishtinës.

Në muajin maj, kryetari Ahmeti ka sjellë vendim që të rrisë numrin e drejtorive komunale edhe për tri më shumë në mandatin e dytë krahasuar me të parin. Ai u kritikua për këtë, pasi që u tha se kjo rritje ishtë bërë kryekëput për të përmbushur aspirata politike duke e dëmtuar buxhetin e institucionit. Drejtoritë e reja iu dhanë partive të vogla të koalicionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme